Kosova

Kurti për reciprocitetin e targave: Po zbatojmë marrëveshjen me të cilën u pajtua edhe Serbia


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për vendimin e vendosjes së tabelave të përkohshme “RKS” për të gjithë ata që hyjnë në Kosovë me tabela tjera nga Serbia, ka thënë se këto veprime nuk kanë për qëllim të cenojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve serbë, apo të provokojnë ndonjë destabilizim.

“Ju siguroj se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj nuk janë drejtuar kundër qytetarëve serbë, nuk kanë për qëllim të cenojnë lëvizjen e lirë qytetarëve serbë, apo të provokojnë çfarë do destabilizimi. Pres nga të gjithë ta kuptojnë drejt se sot nuk po ndodh asgjë e jashtëligjshme, sot po fillon zbatimi i një marrëveshje me të cilën është pajtuar edhe Serbia”, është shprehur ai.

Po ashtu, Kurti ka theksuar se pavarësisht se çfarë nacionaliteti janë poseduesit e automjeteve me tabela jovalide ato po konfiskohen.

“Në të gjitha pikat kufitare të Kosovës automjetet që mbajnë tabela të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Kosovës do të pajisen me tabela të përkohshme. Një marrëveshje teknike mes Kosovës dhe Serbisë u pat arritur 2011 për lëvizje të lirë, që nga ajo kohë Kosova ka zbatuar të gjitha detyrimet”, shtoi ai.

Ai kërkoi nga qytetarët serbë të vazhdojnë ritmin e përditshmërisë pa shqetësime e brenga se po ju cenohet ndonjë e drejtë.

Policia e Kosovës ka filluar aksionin për reciprocitetin e targave dhe secila veturë që ka targa serbe po detyrohet t’i heqë ato dhe të vendosë targa “RKS”.

Pas aksionit të policisë, qytetarë serbë kanë bllokuar rrugën me kamionë dhe nuk po lejojnë lëvizjen.

Albanian Post që po përcjell zhvillimet nga fillimi i aksionit, ka pyetur Rakiçin nëse do të intervenojë për të larguar serbët e pakënaqur.

“Nuk e di a do ta lirojnë rrugën”, ka thënë Rakiç, “por i lus të dyja palët për mirëkuptim”.

“Gjithashtu e lus Vuçiç-in që të reagojë”.

“Ne gjithashtu informuam të Dërguarin Special, Miroslav Lajçak, dhe kërkuam  ndihmë nga Bashkimi Evropian”.

Deri më tani, përkundër bllokimit të rrugës gjendja vazhdon të jetë e qetë.

Ndiqni LIVE të gjitha zhvillimet e aksionit të policisë në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore