Lajme

Kurti për gjykimin ish-krerëve të UÇK-së: Po peshojnë rëndë gabimet e pushteteve të shkuara


Albin Kurti dhe Rexhep Selimi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në trevjetorin e ngritjes së aktakuzës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, ka thënë se “gabimet e pushteteve të kaluara po peshojnë rëndë edhe sot”.

“Mbetemi të patundur në bindjen se UÇK-ja e drejt, është edhe e pastër, prandaj i kemi kundërshtuar gjykimet e padrejta atëherë kur vendosjes për to. Por, ja që gabimet e pushteteve të shkuara ende peshojnë dhe ende dëmtojnë”, tha Kurti në mbledhjen e Lëvizjes Vetëvendosje të mbajtur të dielën.

Kurti e ka përmendur bashkëpartiakun e tij, Rexhep Selimin të njohur në luftë si 10-shi i UÇK-së, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë.

“Rexhep Selimi tash e tre vjet po vuan në burgun e Hagës. Mezi presim të na kthehet. shtoi ai.

“E nderuar zonja Shqipe Mehmeti, Selimi, deputetja jonë, e ish-luftëtarja e UÇK-së dhe bashkëshortja e Selimit, ia përcillni atij përshëndetjet tona më të përzemërta”.

Këtë të diele, bëhen saktësisht tri vjet që kur ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, u arrestuan nga Specialja.

Ndonëse ishin arrestuar në nëntor të vitit 2020, gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, do të fillonte vetëm më 3 prill të këtij vitit, pra më shumë se dy vite nga konfirmimi i aktakuzës.

Deri më tani në gjyqin ndaj Thaçit e të tjerëve kanë dëshmuar 32 dëshmitarë, derisa pjesa më e madhe e tyre ka dëshmuar në seanca të mbyllura për publikun.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore