Kosova

Kurti për draft-statutin e Asociacionit: Është pakrahasimisht më i avancuar se të tjerët


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dalë në mbrojtje draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilën Kosova e pranoi javë më e parë.

Draf-statuti i përgatitur nga komuniteti ndërkombëtar, beson Kurti, është pakrahasimisht më i avancuar se Marrëveshja e vitit 2013 dhe ai i vitit 2015, nga të cilat derivonte ky mekanizëm.

Diferenca, vlerëson Kurti, në mes të këtij draft-statuti dhe Asociacionit i cili parashihej në Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 është te çështja e përmbajtjes.

“Kryesorja është se ky draft-statut fillon me atë se në çfarë shteti ndodh ky gjë, pra së pari kemi një pranim të thelbit dhe të kornizës që është shteti demokratik, Republika e pavarur e Kosovës”, ka thënë Kurti në një intervistë për Televizionin A.

Pavarësisht kësaj, Kurti, ka potencuar se i ka dërguar vërejtjet, komentet dhe kritikat e tij për këtë draft, meqenëse, sipas tij, ky nuk është një draft i cili do të shkruhej prej tij saktësisht asisoj.

“Dallimi kryesor është korniza, themeli se ku ky draft beson që do të zbatohet, është i pakrahasueshëm me të tjerët”.

Duke folur për mos nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, Kurti ka thënë se ai po insiston në këtë çështje për faktin se mos nënshkrimi po keqpërdoret nga Serbia.

“Ne kemi marrëveshje dhe ajo është pjesë e konkluzioneve të mbledhjeve të Këshillit Evropian, mirëpo Serbia edhe po e shkelë edhe nuk po e zbaton. Nënshkrimi është ai i cili praktikisht i anulon shkeljet e më hershme dhe parandalon shkelje të reja. Kjo është arsyeja pse unë kam insistuar, përveç faktit që me 9 shtator të vitit të kaluar, kur ma kanë sjellë draftin e parë të marrëveshjes bazike, gjithmonë është folur se në fund bëhet fjalë për një normalizim midis palëve kontraktuese që merren vesh me nënshkrimin që japin. Pra unë kam pranuar të nënshkruaj, mirëpo nënshkrimi është pranim dhe është garancion për zbatim”, ka shtuar Kurti.

I pyetur për masat ndëshkues të Bashkimit Evropian kundër Kosovës, Kurti ka thënë se të njëjtat janë vendosur për çështjen e de-eskalimit të situatës në Veri të Kosovës, ndërsa, sipas tij, tashmë kemi një de-eskalim në terren.

“De-eskalimi ka ndodhur në verën e këtij viti, kanë rënë edhe incidentet, edhe protestat e dhunshme. Ne e kemi përgjysmuar policinë në ndërtesa të komunave dhe në afërsinë e tyre dhe në këtë mënyrë, de-eskalimi që është kërkuar tashmë ka ndodhur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore