Lajme

Kurti për barrikadat: Koha dhe hapësira që i kemi dhënë KFOR-it po shterohet


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës për vitin 2022 ka folur shkurtazi për barrikadat e ngritura në Veri, për të cilat tha se koha që i kanë dhënë KFOR-it t’i largojë, po shteron.

“Vendosja e barrikadave në rrugë është veprim i paligjshëm i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet. Në përputhje me vlerësimit e sigurisë ne i kemi dhënë kohë dhe hapësirën e nevojshme KFOR-it për të vepruar, por sigurisht që kjo kohë po shteron me shpejtësi”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se “një gjë duhet të kuptohet se nuk mund të qëndrojë edhe parimi i lëvizjes së lirë edhe barrikadat në rrugë që pengojnë lëvizjen e lirë”.

Kurse sa i përket autoriteteve ai tha se “nuk do të bisedojnë dhe bashkëpunojnë me kriminelët në Veri”, por do t’i “arrestojë ata”.

Kurti tutje mbledhjen e vazhdoi duke përmendur sfidat e sukseset e Kosovës gjatë këtij viti.

Sipas kryeministrit të Kosovës, ka pasur përmirësim në lirinë e shprehjes, në sundimin e ligjin, në rrugët evropiane e euroatlantike.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës.

“Këtë vit jemi ngritur për 17 vende për lirinë e shprehjes, këtë vit jemi edhe të dytët në botë sa i përket përmirësimit në sundimin e ligjit, pas një pauze të gjatë Kosovën e kemi kthyer fuqishëm ndaj integrimeve evropiane e euroatlantike”.

“Këtë vit raporti i vendit për Kosovën është konsideruar si ndër raportet më të mira”, ka thënë kryeministri.

Ai për krizën energjetike ka thënë se vendin e kanë gjetur me “infrastrukturë të dobët”.

Për këtë arsyeje kanë marrë të gjithë hapat për të kaluar këtë krizë.

“Krahas sfidave të pandemisë, kishim edhe krizën e energjisë e cila u rrit për shkak të luftës së Ukrainës më Rusinë. Sa i përket energjisë, mungesës së gjatë në këtë vizion më në fund kemi strategjinë e re të energjisë 2022-2031 kjo strategji I siguron Kosovës energji stabile. Këtë vit kishim kthim drejt energjisë së gjelbërt”.

Por, krahas sfidave, ai ka përmendur edhe sukseset e Kosovës për gjatë këtij viti.

“Me të gjitha këto zhvillime politike erdhi edhe përgjigjja e Bashkimit Evropian për heqjen e vizave nga 1 janari I vitit 2024. Ky vit ishte vit i suksesshëm, por ishte edhe vit i sfidave”.

Sfidë gjatë këtij viti ka qenë rritja e numrit të vrasjeve dhe dhunës ndaj grave.

“Ajo që duhet theksuar për këtë vit ishte edhe vrasja e dhuna e grave, fuqizimii  i gruas është prioritet në secilën politik të Qeverisë sonë”.

Ndërsa sa  i përket aspektit të infrastrukturës, kryeministri deklaroi se kanë pasur përmirësim në ndërtimin e hekurudhës.

“I kemi negociuar 21 marrëveshje financiare. Këtë vit kemi filluar edhe kthimin e hekurudhave kemi bërë hapat e parë për ndërtimin e hekurudhës Prishtinë-Durrës”.

Ndërsa, ka përmendur ndarjen e mbi 100 milionë eurove nga “pakoja e ringjalljes” e mbi 150 milionë të tjerë nga “pakoja e përpalljes së inflacionit”.

Ai ka lavdëruar edhe rritjen e të të hyrave nga Dogana e Administrata Tatimore e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore