Kosova

Kurti pas darkës me Vuçiçin: I njëjti, nuk ka ndryshuar


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç në takim jo formal në Gjermani

Për më shumë se një orë e gjysmë zgjati takimi jo formal i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç me ndërmjetësimin e të dërguarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Në pallatin Borsig në periferi të Berlinit ishte takimi i tretë me lehtësimin apo ndërmjetësimin e  Lajçak”, ka tënë Kurti për RTK-në.

Pas kësaj darke, Kurti ka deklaruar se Vuçiç edhe më tej vazhdon të mos distancohet nga politika e Sllobodan Millosheviçit dhe as nga politika e presidentit rus, Vladimir Putin.

“Qëndrimet e presidentit të fqinjit tonë verior janë të vjetra dhe insistimi im është natyrisht për një marrëveshje që natyrisht është e obligueshme, normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona, duke pasur në qendër njohjen reciproke. Mirëpo në këtë aspekt, nuk mund të them se ka përparim. Pra, nuk ka distancim nga Millosheviçi, nuk ka distancim nga Putini, dhe përveç që ka qëndrime të vjetra, ka edhe sjellje të çrregullta do të thosha”, ka thënë Kurti.

Kurti paralajmëroi se takimi i radhës nuk do të jetë në nivel të liderëve, por do të jetë në nivel të kryenegociatorëve.

“Pra zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, me 13 maj do ta takojë homologun e tij në Bruksel dhe do të vazhdojnë diskutimet dhe shqyrtimet, por është e qartë se Kosova është në të drejtën e saj dhe tashmë edhe faktorët ndërkombëtarë e kanë të qartë se është Serbia ajo e cila duhet të ndryshojë, në mënyrë qe të kemi zgjidhje e marrëveshje”.

Kryeministri Kurti ritheksoi faktin që Vuçiç vazhdon të ketë qëndrime të vjetra dhe nuk pret marrëveshje të re e cila mund të ndodhë së fundi. Duke bërë të ditur se varësisht e si shkon takimi i kryenegociatorëve me 13 maj, mund të ketë sërish takim me presidentin Vuçiç.

Deklarata e Kurtit dhe Vuçiç vjen pasi ata, ndaraz, gjatë ditës takuan kancelarin gjerman, Olaf Scholz me të cilin mbajtën edhe një konferencë për media. Gjatë ditës, Kurti pati takime dhe me ministren e Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore