Kosova

Kurti: Opozita s’mund t’i shtyjë pafundësisht zgjedhjet – LVV-ja do ta fitojë kampionatin edhe kupën


Kryeministri i Kosovës, njeherit kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se në vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet parlamentare, derisa ka ironizuar me partitë opozitare për të cilat ka thënë se “nuk do të mund t’i shtyjnë zgjedhjet pafundësisht”.

“Në vitin 2025 do t’i kemi zgjedhjet parlamentare, meqenëse opozita nuk do të mund t’i shtyjë ato pafundësisht”, tha Kurti në 19 vjetorin e themelimit të LVV-së.

Ai ka theksuar se partia e tij synon që të fitojë edhe në zgjedhjet komunale, teksa si shembull e ka marrë suksesin e klubit të futbollit Ballkani nga Suhareka që është shpallur kampion dhe fitues i kupës.

“Le ta marrim si shembull një ekip të suksesshëm futbolli, fjala vjen Ballkanin e Suharekës. Për qeverisje qendrore dhe komunale nga zgjedhjet parlamentare dhe lokale le ta fitojë LVV-ja në vitin 2025 kampionatin dhe kupën”, theksoi kreu i Qeverisë.

“Jam i sigurt që bashkë me ju do të ia dalim. Këtë mision do ta realizojmë vetëm së bashku”, potencoi Kurti para të pranishmëve.

Tutje, gjatë fjalimit të tij, Kurti është lavdëruar edhe me rritjen e numrit të punësuarave presje është zgjedhur kryeministër.

“Kemi 20 për qind rritje aktive të punësuarve, kemi dyfishuar numrin e të rinjve të punësuar e me masat mbështetëse të Qeverisë kemi punësuar mbi 12 mijë gra”, theksoi ai.

I pari i LVV-së ka folur edhe për ish-shefin e grupit parlamentar të partisë së tij, Rexhep Selimin, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë si i akuzuar për krime lufte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Rexhep Selimi mezi presim të na kthehesh me ballin lartë dhe me faqe të bardhë ashtu siç e meriton t’i dhe gjithë luftëtarët të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, përfundoi Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore