Kosova

Kurti: Obligimi për drejtësi do të përmbushet përmes Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në përvjetorin e masakrës në Krushë më 26 mars, ka thënë se themelimi dhe funksionalizimi i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës do të dokumentojë të gjitha krimet e luftës në Kosovë.

Kurti, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se do të jetë obligim që do të përmbushet ndaj kujtimeve si popull dhe kërkesës për drejtësi.

“Themelimi dhe funksionalizimi i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës ka për qëllim dokumentimin e të gjitha krimeve të luftës së fundit në Kosovë, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale nga Serbia”.

Sipas tij, angazhimi i Qeverisë është duke u bërë për të ardhme të ndritshme të Kosovës.

“Si institucione të Republikës, jemi të përkushtuar që brezi aktual i fëmijëve dhe brezat e ardhshëm, që s’kanë lindur ende, të mos kalojnë nëpër këto vuajtje që i kaluam ne. Si institucione e qytetarë të Republikës, po angazhohemi bashkë, që fëmijët të gëzojnë lirinë dhe të kenë të ardhme të ndritshme në Kosovën tonë”.

“Përkulemi me shumë dhembje, dashuri dhe krenari para kujtimit të të gjithë të vrarëve. Rënien e tyre me flijim e me sakrificë, e kemi udhërrëfim se si të ecim përpara”, ka shkruar ai.

Nga masakra e realizuar me 26 mars të vitit 1999 nga forcat paramilitare serbe, të gjallë mbetën vetëm Gramoz Berisha, i cili aso kohe ishte tetë vjeç, nëna e tij, Vjollca Berisha dhe gruaja e axhës, Shyhrete Berisha.

E tërë ngjarja ndodhi vetëm dy ditë pasi NATO filloi bombardimet kundër forcave serbe, ku anëtarët e familjes Berisha, vdiqën nga plumbat dhe mjetet eksplozive që u hodhën brenda këtij lokali që atëherë ishte i braktisur. Pasi ekzekutuan gratë dhe fëmijët që ishin në lokal, forcat serbe, ngarkuan trupat e tyre në një kamion dhe i nisën në drejtim të Prizrenit.

Nga 52 anëtarët sa u vranë gjithsej, 24 prej tyre mbesin akoma të pagjetur, përfshirë këtu edhe motrën e Gramozit, Dafinën, e cila ishte vetëm 16 vjet.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008 krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK).

Nga viti 2008, hetimin e krimeve të luftës e kishte përgjegjësi Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018 misioni i EULEX-it përfundoi procesin e dorëzimit të dosjeve tek prokuroria dhe gjykatat vendore. Këto raste penale tani janë në duart e prokurorëve dhe gjyqtarëve të institucioneve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore