Lajme

Kurti nga Vjena: Kosova është shoqëri shumë etnike, Asociacioni mono-etnik s’lejohet


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kancelarin e Austrisë, Karl Nehamme në Vjenë, kur është pyetur nga gazetarët nëse do e themeloj Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ka theksuar se kjo çështje mund të adresohet në kuadër të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por ka shtuar se Kushtetuta nuk e lejon themelimin e Asociacionit një etnik.

“Megjithatë, sipas Kushtetutës së Kosovës e cila i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe dhe që është përpiluar nga Ahtisari dhe Rohan, në frymën e saj nuk lejon Asociacion një etnik. Fjalia e parë e atij plani thotë që Kosova duhet të jetë shoqëri shumë etnike, asociacionet mono-etnike nuk janë në frymën e atij plani”, tha Kurti.

“Ne ofrojmë garanci dhe të drejta për të gjitha pakicat në Kosovë. Jam shumë i angazhuar, por pa nënvlerësuar kushtetutshmërinë e vendit tonë”.

Ai ka theksuar se e ka informuar kancelarin edhe për qasjen konstruktive të Kosovës në dialogun me Serbinë, që sipas tij, do duhej të qonte në njohje të ndërsjellë.

Gjatë konferencës për media, Kurti ka folur edhe për barrikadat në Veri të Kosovës të cilat qëndruan për 20 ditë.

“16 barrikada janë vendosur në vende të ndryshme, ata që i kanë vendosur i kanë hequr dhe besoj që ato janë vendosur në shenjë se frikës nga sundimi i së drejtës”.

“Ne kemi kërkuar që kemi më shumë ushtarë të KFOR-it në Kosovë për shkak të 48 bazave ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën. Prezenca e elementeve ushtarake të Wangerit është shumë shqetësuese”.

Kurti ka potencuar se e ka njoftuar kancelarin austriak që Kosova ka dënuar invadimin rus dhe i është bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.

Ai ka shtuar se kjo është vizita e tij e parë zyrtare jashtë vendit këtë vit, duke shtuar se “ku më mirë të fillohet se sa në qytetin e bukur të Vjenës, qytetin e kompizitorëve dhe mendimtarëve të mëdhenj”.

“Austria na ka ndihmuar në rrugën tonë për paqe së bashkë me ushtarët austriak në Kosovë. Austria është bërë shtëpi e shumë qytetarëve tanë që kanë ikur nga okupimi dhe lufta dhe kanë ardhur këtij diku rreth 70 mijë qytetarë nga Kosova”.

“Si dy vende jemi të kënaqur që të qëndrojmë në këtë shteg të zgjerimit të marrëdhënieve. Më shumë se dy dekada më parë ky qytet ka qenë dëshmitarë i negociatave të dhimbshme që përfundimisht quan në pavarësinë e Kosovës”.

Po ashtu kreu i Qeverisë së Kosovës e ka falënderuar Austrinë për mbështetjen e saj për Kosovën për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“E falënderoj kancelarin për aplikimin tonë në Këshillin e Evropës”.

Ndërkaq kancelari i Austrisë, Karl Nehamme, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të punojnë për të gjetur një marrëveshje përfundimtare.

“Dy shtetet duhet të gjejnë një lloj mënyre për të gjetur një marrëveshje finale. Austria do të jetë e gatshme të ndihmojë dhe të ofrojë ndihmë”, tha ai.

“Ne do të jemi në dispozicion për çfarëdo lloj ndihme. Jemi në kërkim të gjetjes së zgjidhjes së drejt në këtë drejtim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore