Lajme

Kurti në SHBA fton kompaninë “LinkedIn” të investojë në Kosovë


Albin Kurti, Kryeministër i Kosovë në takim me përfaqësues të kompanisë “LinkedIn” në SHBA

Është dita e katërt e qëndrimit të tij zyrtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se është takuar me përfaqësues të kompanisë “Linkedin” e cila ka selinë kryesore në SHBA.

Përmes një cicërime në Twitter, Kurti ka treguar se ndër të tjera u ka kërkuar që të investojnë në Kosovë për shkak të potencialit të madh që ofron shteti të cilin ai e udhëheqë.

“Potenciali në fushën e IT-së është në rritje, dhe Kosova ofron një klimë veçanërisht të favorshme investimi për kompanitë amerikane të teknologjisë”, ka shkruar kryeministri Kurti në Twitter.

“Kjo nga ana tjetër do të sigurojë vende të reja pune me cilësi të lartë për qytetarët e Kosovës, siç e ndava gjatë një takimi me drejtuesit e LinkedIn”, ka përfunduar ai.

 

Ndërkaq më vonë në Facebook, kryeministri Kurti ka dhënë më shumë detaje rreth këtij takimi.

“Në Silicon Valley të Kalifornisë, qendrën e famshme botërore të teknologjisë së informacionit, kemi nisur misionin tonë për të vendosur Republikën e Kosovës në hartën botërore të investimeve në sektorin e TI-së”.

Kryeministri ka treguar se ka zhvilluar takime me drejtues të disa prej kompanive më kryesore të kësaj fushe.

“Në zyrën qendrore të Linkedin, kemi biseduar për mundësitë që ofron Republika e Kosovës, me pozitën gjeografike, stabilitetin institucional, inovacionin lokal, shpirtin ndërmarrës dhe fuqinë punëtore të re dhe të talentuar. I kam njoftuar drejtuesit e LinkedIn për cilësitë atraktive të punëtorëve të rinj në Kosovë: 2 mijë studentë diplomojnë në sektorin e TI-së në Kosovë e Qeveria ndihmon në trajnimin edhe të 4 mijë të tjerëve”.

Më pas Kurti njofton se ka vizituar kompaninw VMWare, “një lidere në fushën e “cloud computing” dhe “virtualization technology”, që tashmë përdoret gjerësisht në Kosovë”.

“Aktualisht, VMWare ka 35 mijë të punësuar, prej të cilëve 25 mijë janë në vende të huaja. I njoftova përfaqësuesit e kësaj kompanie për veprimet konkrete që Qeveria jonë ka ndërmarrë për ta bërë Kosovën kontraktuese të ardhshme të shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe të BPO hub të Evropës Juglindore”.

Më tej kryeministri tregon se ka takuar edhe drejtuesit e kompanive tw dy firmave të investimit, Sumeru Equity Partners dhe Andreessen Horowitz.

“Gjatë këtyre vizitave i informova për disa nga arsyet se pse duhet të investohet në Kosovë: pozita e favorshme gjeografike për të ofruar shërbime për mbi 70 milionë konsumatorë në Evropën Juglindore, fuqia punëtore profesionale, shpenzimet e ulëta operacionale për kompanitë e TI-së, themelimi i Gjykatës Komerciale, mbështetja e ofruar nga Qeveria në zhvillimin dhe rritjen e industrisë së TI-së nëpërmjet agjendës gjithëpërfshirëse digjitale etj”.

Së fundmi, ka treguar Kurti, “jemi pritur në takim nga drejtuesit e Qendrës Miller për Ndërmarrësi Sociale (Miller Center for Social Entrepreneurship). Gjatë takimit i njoftova ata me të arriturat gjatë një viti qeverisje dhe kushtet e përmirësuara për investime dhe biznese të huaja, si dhe kemi eksploruar mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen ndërmjet Qendrës Miller dhe Republikës së Kosovës”.

Kejt këto takime, Kurti thotë se ”janë vetëm fillimi i përpjekjeve tona gjatë vizitës në ShBA për ta bërë Kosovën një ndër qendrat e investimeve të TI-së në Ballkan, si dhe në gjithë Evropën”.

Në ditën e parë të qëndrimit në SHBA, Kurti është takuar me Alice Albright, drejtoreshën e Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit, takim për të cilin ka shkruar në Twitter se ishte special.

“Një nder i veçantë takimi me drejtoreshën e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, zonjën Alice Albright dhe fillimin e Negociatave për Kompaktin e Kosovës”, shkruan Kurti.

Që nga ky takim me MCC-në dhe përfaqesuesit e “LinkedIn”, kryeministri Kurti nuk ka treguar nëse kishte takime të tjera, apo jo.

Takimet e kryeministrit kosovar nuk dihen as tani, meqë nuk është bërë publike ndonjë agjendë për këtë vizitë.

Gjithsesi, referuar asaj që kishte thënë Kurti në konferencë për media para se të niste vizitën në Amerikë, se takimet do jenë të shumta dhe vizita do jetë e gjatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore