Lajme

Kurti: Kërcënimet e terrorizmit dhe agresionit në rajon janë në rritje


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten ka marrë pjesë në shënimin e Ditës Kombëtare të Irlandës e organizuar nga Ambasada e Irlandës në Kosovë, me ç’rast ai ka potencuar se kërcënimet e terrorizmit dhe agresionit në rajon janë në rritje.

Andaj, sipas tij, integrimi i Kosovës në institucionet euroatlantike është më i rëndësishëm se kurrë më parë për perspektivat e paqes, sigurisë dhe të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor.

“Jam veçanërisht mirënjohës për mbështetjen e zëshëm të Irlandës për ofertat tona për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian”, ka thënë Kurti gjatë fjalimit të tij.

Kurti, ndër të tjera, është shprehur se Kosova dhe Irlanda kanë pasur gjithmonë marrëdhënie miqësore që nga shpallja e pavarësisë.

“Ne kemi rënë gjithashtu dakord të intensifikojmë bashkëpunimin në një sërë fushash – veçanërisht në sektorin e teknologjisë – për të mirën e qytetarëve të të dy vendeve tona”, ka potencuar Kurti.

Ndryshe Kurti, në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se ka urdhëruar Agjencionin Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, me arsyetimin se pa zbatimin e tij Kosova nuk mund të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

Sipas tij Qeveria e Kosovës ka qenë para dy opsioneve – të plotësoj këtë kusht në atë mënyrë që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, apo të ngelë pa u anëtarësuar në këtë organizëm ndërkombëtar.

Kurti ndër të tjera ka bërë të ditur se Qeverisë së Kosovës nuk i pëlqen vendimi në fjalë, të cilën e ka cilësuar si të çuditshme e të padrejtë.

Megjithatë ai ka pranuar se ekzekutivi kosovar nuk ka mjete ligjore e juridike për të anuluar vendimin në fjalë.

“Si kryeministër, nuk na pëlqen ai vendim i çuditshëm e i padrejtë, e ndërkohë ka edhe procese të tjera gjyqësore pezull për këtë çështje teksa ne si qeveri s’kemi më mjete legale e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Kurti duke arsyetuar vendimin në fjalë, ka potencuar se qëndrimi i Qeverisë së Kosovës ndaj këtij vendimi të dëmshëm nuk do të ndryshojë asnjëherë.

“Por se, në anën tjetër, nuk ka dyshim se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe një hap gjigant për republikën tonë drejt njohjes së pesëshes evropiane, që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian për Kosovën e pavarur”.

Në ushtrimin e gjykimit për këtë çështje, Kurti, siç ka bërë të ditur vetë është prirë nga arsyeja e shëndosh.

Sipas tij askush nuk ka të drejtë ta ndalë Kosovës të drejtën për të qenë shtet i barabartë me çdo shtet tjetër të kontitetit tonë.

“Askush nuk ka të drejtë t’ia humbas qytetarëve të drejtën që të ndjehen qytetarë evropianë duke pasur të drejtën për t’ju qasur Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e dhjetëra mekanizmave të tjerë që e përbëjnë makinerinë demokratike pan-evropiane të Këshillit të Evropës”.

Autoritetet lokale në Deçan, deri më tani, kanë refuzuar që Manastirit të Deçanit t’ia regjistrojnë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, sepse konsiderojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk ka qenë kurrë e Manastirit.

Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese ka “legalizuar” një vendim të vitit 1997 të Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç-it, me të cilin ajo pronë iu dhurua Manastirit të Deçanit.

Për këtë çështje është zhvilluar edhe një proces gjyqësor, i cili ka zgjatur nga viti 2000 deri në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese pati vendosur në favor të Manastirit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore