Lajme

Kurti e Osmani e kujtojnë Nënë Terezën në 111 vjetorin e ditëlindjes së saj


Albin Kurti, Kryeministri i Kosovës

“Nëna Tereza me veprat e saj nuk mbushi boshllëk, por e ngriti kombin tonë, jo kur ai mungonte, por kur ai e meritonte”.

Kështu ka deklaruar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e 111 vjetorit të lindjes dhe në prag të pesë vjetorit të shenjtërimit të Nënës Terezë.

Kryeministri Kurti i cili vendosi lule pranë shtatores së saj në sheshin e Prishtinës gjatë fjalës së tij ka thënë se Nëna Tereza “arriti që ta kapërcejë pragun e tokës shqiptare dhe shkojë në botë të huaj, duke bartur me vete sistemin e vlerave të edukatës së familjes shqiptare, vlera këto që dukshëm dallonin nga sistemi i vlerave të tjerëve dhe që së shpejti u bënë si udhërrëfyes për të tjerët”.

Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së enjte ka kujtuar humanisten e madhe shqiptare, Nëna Terezën në 111 vjetorin e lindjes së saj.

Ajo përmes një postimi në Facebook, mes tjerash ka shkruar se në këtë ditë kujtojmë me nderim simbolin e dashurisë dhe të paqes.

“Në ditëlindjen e 111-të të nënës sonë, Shën Terezës, kujtojmë përplot nderim simbolin e dashurisë dhe të paqes, e cila botës ia dhuroi vlerat e mira të saj e të popullit të saj shqiptar: dashurinë për njeriun, zemërgjerësinë dhe bashkëvuajtjen me më të dobëtit”.

Këtë vit nga 26 gushti deri me pesë shtator, në Shkup dhe Prishtinë do të mbahet manifestimi kulturor “Drita e Gonxhës”, gjatë së cilës do të zhvillohen aktivitete të ndryshme në nder të jetës dhe veprës së Nënë Terezës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore