Lajme

Kurti e ndryshon tregimin, thotë se Vuçiç nuk e refuzoi nënshkrimin, por deshi ta bëjë me BE-në


Foto nga Albanian Post

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën austriake Der Standard, ku ka befasuar me disa nga përgjigjet e tij, siç ishte ajo se ndryshe nga sa ka thënë deri më tani se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka refuzuar t’i nënshkruajë marrëveshjet, tash pohoi se Vuçiç deshi të nënshkruajë, por vetëm me Bashkimin Evropian në dokumente të ndara e jo në një të përbashkët me Kosovën.

“Kam dashur të nënshkruaj edhe marrëveshjen kornizë me Serbinë edhe këtë propozim (draft-statutin). Por Vuçiç donte që Serbia dhe Kosova të nënshkruanin ndaras me BE-në”, deklaroi Kurti.

Kryeministri kosovar tha se këtë version e refuzoi, sepse “nuk kam për të normalizuar marrëdhëniet me BE-në, por ato me Serbinë”.

Gjithashtu, Kurti dikur thoshte se po ka frikë mos dorëzohen kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të zgjedhur në zgjedhjet e fundit lokale atje, por tani deklaroi se ai nuk i do ata kryetarë në ato pozita.

Kjo sepse, siç tha në përgjigjen e tij, ata nuk janë aty me vullnetin e popullit, prandaj iu mungon dimensioni legjitim.

“Nuk dua kryebashkiakë shqiptarë në veri – siç janë aktualisht. Ata kanë pak legjitimitet politik për shkak të pjesëmarrjes së ulët të votuesve, pavarësisht se janë plotësisht të ligjshëm”, deklaroi Kurti.

 

Intervista e plotë e Albin Kurtit për Der Standard:

STANDARD: Kur do të mbahen zgjedhjet e reja në veri të Kosovës që komunat me shumicë serbe të kenë sërish kryetarë serbë?

Kurti: Sipas ligjit për vetëqeverisje lokale, 20 për qind e atyre me të drejtë vote duhet të dorëzojnë peticion. Unë nuk mund ta bëj këtë në emër të tyre. Kjo është mënyra e vetme për të siguruar që bojkotet të mos përsëriten. Në mars, partia Lista Srpska bojkotoi zgjedhjet. Nuk dua kryebashkiakë shqiptarë në veri – siç është aktualisht. Ata kanë pak legjitimitet politik për shkak të pjesëmarrjes së ulët të votuesve, pavarësisht se janë plotësisht të ligjshëm. Megjithatë, Beogradi nuk është i interesuar për pjesëmarrjen demokratike të serbëve në Kosovë, sepse dëshiron kompensim territorial për humbjen e Jugosllavisë.

STANDARD: Çfarë mund të bëni për të forcuar besimin e serbëve në veri të Kosovës në shtetin e Kosovës?

Kurti: Janë 47 policë serbë të saporekrutuar. Ne kemi shpërblyer tre milionë euro për bujqësinë, start-up-et dhe OJQ-të në veri. Unë kam qenë disa herë në veri dhe kam takuar serbët; por këto takime nuk bëhen publike sepse njerëzit ma kërkojnë. Familjet e tyre janë nën presion. Një serb që e emërova si këshilltar dha dorëheqjen pas dy orësh sepse gruas së tij i humbi menjëherë gjysmën e pagës. Vetëm këtë vit në veri janë djegur 15 vetura me targa të Kosovës.

STANDARD: Ju dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç u kthyet së fundmi në Bruksel. Është paraqitur propozimi për Asociacion të Komuniteteve me Shumicë Serbe në Kosovë. Megjithatë, nuk kishte asnjë marrëveshje.

Kurti: Kam dashur të nënshkruaj edhe marrëveshjen kornizë me Serbinë edhe këtë propozim. Por Vuçiç donte që Serbia dhe Kosova të nënshkruanin ndaras me BE-në. Por nuk kam për të normalizuar marrëdhëniet me BE-në, por ato me Serbinë! Vuçiç ka kërkuar edhe një dokument ku thuhet se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, se Kosova nuk do të ketë vend në Kombet e Bashkuara dhe se Serbia nuk do ta pranojë integritetin territorial të Kosovës.

STANDARD: Pika e fundit është e kundërta e asaj që thuhet në marrëveshjen kornizë. Si reaguan negociatorët e BE-së?

Kurti: Negociatorët më pyetën se çfarë mendoja për këtë. Thashë që arbitri duhet t’i bie bilbilit nëse ka pasur shkelje të marrëveshjes. Sa herë që Beogradi shkel marrëveshjen, bilbili duhet të fryhet. A mund ta imagjinoni një arbitër që ka humbur bilbilin dhe tani thjesht ndjek lojtarët? Kjo ndoshta ka të bëjë me politikën e qetësimit. Por për shkak se Perëndimi është kaq i butë ndaj Serbisë, në mënyrë paradoksale po e shtyn atë drejt Rusisë, edhe pse synohet e kundërta. Sepse Beogradi ka më shumë dashuri dhe frikë ndaj Moskës sesa Brukselit.

STANDARD: Më 24 shtator, milicë serbë kryen një sulm terrorist në veri të Kosovës. Cila është situata e sigurisë tani?

Kurti: Serbia ka qëndrim të ngjashëm ndaj Kosovës si Rusia ndaj Ukrainës. Megjithatë, trupat e KFOR-it të udhëhequra nga NATO janë të stacionuara këtu – dhe kjo ishte padyshim një faktor vendimtar që Serbia të mos pushtonte më 24 shtator. Sepse kjo ishte ideja. Serbia mblodhi trupa në kufi. Ajo donte qartë një konflikt të madh për një periudhë më të gjatë kohore, duke pasur parasysh se kishte sjellë mbi pesë milionë armë dhe municione të prodhimit serb në Kosovë.

STANDARD: Sa ka gjasa që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës vitin e ardhshëm?

Kurti: Jam optimist. Por është shumë e rëndësishme që kjo të ndodhë përpara zgjedhjeve të BE-së dhe SHBA-së, sepse disa shenja nuk janë të mira. Nuk e dimë se si do të duket bota pas dy vitesh. Në vend të çlirimit të plotë të Ukrainës dhe përfundimit të luftës atje, ne kemi një tjetër konflikt në Lindjen e Mesme. Si rezultat, ka më pak vëmendje për Ballkanin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore