Kosova

Kurti, delegacionit gjerman: Hulumtoni mundësitë dhe përparësitë që i ofron Kosova për investitorët e huaj


Albin Kurti dhe delegacioni gjerman nga shteti i Bavarisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën në një takim me një delegacion gjerman nga shteti i Bavarisë, u ka bërë thirrje bizneseve nga ky regjion i Gjermanisë të hulumtojnë mundësitë dhe përparësitë që i ofron Kosova për investitorët e huaj.

Kurti gjatë një bashkëbisedimi me delegacionin e shtetit të Bavarisë, i udhëhequr nga Gerhard Hopp, e të përbërë nga deputetë të Parlamentit bavarez, përfaqësues të Kancelarisë së Bavarisë dhe përfaqësues të bizneseve nga Bavaria, të martën, ka vënë theksin te marrëdhëniet e forta dhe të afërta ndërmjet dy shteteve.

“Krahas diskutimit për zhvillimet politike dhe synimet e Republikës së Kosovës për integrim euroatlantik, për çka parlamentarët bavarez shprehën mbështetjen e tyre, temë ishin edhe mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, veçanërisht përmes odave ekonomike”, thuhet në një komunikatë për media e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Kurti gjatë takimit, siç njofton komunikata për media, ka njoftuar mysafirët për politikat e qeverisë me qëllim zhvillimin ekonomik dhe punësimin.

“Në fushën e punësimit Kurti ka përfshirë sistemin dual të arsimit, të frymëzuar nga modeli i vendeve gjermanofolesë, i cili në Kosovë po gjen zbatim në 23 shkolla në gjithsej 14 komuna me 12 profile, dhe digjitalizimin e shërbimeve për një mjedis më të mirë të të bërit biznes”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore