Lajme

Kurti bën nderime te Parku Memorial “Të Pagjeturit”: Kërkojmë të vërtetën, drejtësinë dhe përgjegjësinë


Albin Kurti duke bere nderime te Parku Memorial "Te Pagjeturit"

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë nderime te Parku Memorial “Të pagjeturit” në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, kushtuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë nga forcat serbe.

Siç njofton zyra e kryeministrit “me këtë rast, ai vendosi lule të freskëta pranë kësaj pllake pikërisht në 80-vjetorin e lindjes së Ukshin Hotit, të rrëmbyerin me dhunë nga forcat serbe, për të cilin edhe sot nuk dihet gjë për fatin e tij”.

“Kryeministri në vazhdimësi por edhe sot, përmendi e rikujtoi 1617 qytetarët e Kosovës të zhdukur me dhunë për të cilët tha se kërkojmë të vërtetën, drejtësinë e përgjegjësi”.

Lidhur me këtë, ai po ashtu njoftoi se Andin Hoti, Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur dhe njëherësh i biri i Ukshin Hotit, i ka dërguar edhe një letër Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, “me ç‘rast kërkohet përgjegjësi”.

“Përkitazi me këtë e duke u bazuar në marrëveshjen e dakorduar në Bruksel në takimin e 2 majit, edhe kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti, i cili është edhe i biri i Ukshin Hotit, i ka shkruar një letër Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ku kërkon prej tij hapjen e arkivave, posaçërisht të dokumentacionit të klasifikuar, por duke mos u kufizuar tek ai, të brigadës së motorizuar 37, e cila është përgjegjëse për një mori masakrash në rajonin e Drenicës”, ka potencuar Kurti.

Ndërkaq, kreu i ekzekutivit kosovar theksoi se “Qeveria e Kosovës mbetet e angazhuar dhe kërkon përgjegjësi për të pagjeturit tanë”, duke shtuar se “i mungojnë gjithë popullit e shoqërisë”.

Ndryshe, Kryetari i Komisionit të Qeverisë së Kosovës për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, kishte njoftuar me 2 qershor se Kosova ka filluar kërkesat e saja ndaj shtetit të Serbisë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Hoti ka shkruar se “në respektim të zbatimit të Deklaratës për persona të zhdukur, e miratuar në Bruksel, Republika e Kosovës pa humbur kohë ka filluar me kërkesat e saj për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”.

“Ne kemi kërkuar nga Presidenti i Serbisë, të gjitha informacionet, përfshirë edhe ato të klasifikuara, për Komandën e Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave”, shkroi ai në Facebook.

Tutje, Hoti theksoi se kjo brigadë, “përveç tjerash ka kryer krime në regjion të Drenicës”, duke shtuar se “nga masakrat e kryera në fshatrat e Drenicës nga kjo njësi, ka ende civilë shqiptarë të zhdukur”.

“Natyrisht që shkresa e parë fillon me Drenicën, sepse pikërisht në Drenicë, Serbia ka filluar me krimet masive ndaj popullit shqiptar”, përfundoi ai.

Kosova me kërkesë zyrtare Serbisë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore