Lajme

Kurti: Bandave që dirigjohen nga Vuçiç dhe paguhen nga Serbia po u vjen fundi


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se aktiviteti i bandave kriminale në Veri është intensifikuar, sepse ata e dinë “që po iu vije fundi”.

Me një status në Facebook, Kurti ka treguar se do ta rrisë numrin e policëve në atë pjesë të Kosovës.

“Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vije fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore”, shkroi Kurti në Facebook.

“Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje”.

Kryeministri ka premtuar se “do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj”.

“Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë”.

I pari i qeverisë shkroi se “në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë”, prandaj ka kërkuar nga “të gjithë qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, të gjithë zyrtarët tanë që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë”.

Ndryshe, pasditën e së martës, në Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut, ka pasur shkrepje armësh e shpërthime, por nuk është raportuar për ndonjë të lënduar.

Tensionet janë rritur në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, pasi qytetarët kanë paguar zyrtarët e komisioneve komunale zgjedhore të kenë qasje në zyrat e tyre, ku po përgatiten edhe zgjedhjet komunale.

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, bëri të ditur se disa persova të maskuar kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor.

“Në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës Veri janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime), por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente”.

“Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë dhe vlerëson situatën e sigurisë në vend dhe ndërmerr masa të nevojshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve”, thuhet nga Policia.

Gjithçka po ndodhë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur zgjedhjet në komunat veriore, por partia më e madhe në atë pjesë, Lista Serbe, ka dalur kundër këtyre mbajtjes së tyre.

Shkrepje armësh e shpërthime në Veri – “janë aktivuar grupet kriminale”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore