Lajme

Kurti: Asociacioni njëetnik nuk është i mundshëm


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur sërish për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ai ka përsëritur se “Asociacioni njëetnik në Kosovë me Kushtetutë shumetnike nuk është i mundshëm”.

Kurti pas vizitës që e ka bërë tek një biznes i këpucëve në Ferizaj, deklaroi se nëse Serbia dëshiron që në Kosovë të ketë zgjedhje njëetnike, duhet ta provojë njëherë në vendin e vet.

“Pakicat kombëtare në Serbi janë gati 20 për qind, pakicat kombëtare në Kosovë janë rreth 7 për qind, pra Asociacion i komunave me shumicë serbe në Kosovë, e Presheva, Medvegja e Bujanovci ta kenë vetëm Këshillin Nacional atje, është e padrejtë, e dëmshme dhe e papranueshme”, tha Kurti.

Por, në anën tjetër, shtoi se është i hapur për diskutime mbi bazën e propozimit evropian, përkundër se ky propozim ka brenda pikërisht themelimin e Asociacionit, në nenin ku thuhet se “palët pajtohen që të respektojnë të gjitha marrëveshjet e më hershme”.

Ambasada amerikane në Prishtinë, të martën e 31 janarit ka organizuar një diskutim të mbyllur për Asociacionin.

Pas takimit me një shkrim të shkurtër në Tëitter kishte dalur ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.

“Sot kemi mbajtur një sesion dëgjimor në Ambasadë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Falënderim për aktorë të ndryshëm që ishin prezent dhe ndan pikëpamjet e tyre dhe ekspertizën. Ne vazhdojmë të avokojmë për implementimin e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga Dialogu”, ka shkruar Hovenier në Tëitter.

Para takimit Kurti kishte thënë se “ata që janë në takim do ta thonë fjalën e tyre”, pa u zgjatur më shumë.

Njëjtë si Kurti, fjalë pak është treguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që bashkë me kryeministrin, po bënte homazhe para shtatores së dëshmorit Zahir Pajaziti në Prishtinë.

“Gjithçka që ka të bëjë me Amerikën është e mirë”, pohoi shkurt ajo.

Ky takim i organizuar në Ambasadë ka ardhur në një kohë kur është intensifikuar kërkesa amerikane për themelimin e Asociacionit si parakusht për vazhdimin e negocimit dhe potencialisht arritjen e një marrëveshje bazuar mbi propozimin franko-gjerman.

Artikulimi i fundi i kësaj kërkese u shpreh përmes një letre të hapur të dy top-diplomatëve amerikanë, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore