Sport

Kupa e Shqipërisë: Tirana poker Kastriotit, Egnatia dhe Laçi bëjnë paqe


Kupa e Shqipërisë ka zhvilluar dy takimet e para të raundit çerekfinal këtë të martë. Tirana ka mundur bindshëm 4-1 Kastriotin, ndërsa, Egnatia dhe Laçi kane barazuar pa gola.

Në sfidën e luajtur në Kamëz, Tirana ishte dominuese e takimit dhe tashmë e shikon veten vetëm një hap larg kualifikimit për në gjysmëfinale.

Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi me rrjeta të paprekura. Ndërsa, bardheblutë do e nisnin pjesën e dytë me ritëm të lartë.

Në minutat e para të pjesës së dytë, Tirana gjeti dy herë rrjetën me Patrick (47’, 48’).

Kastrioti do të ngushtonte diferencat në minutën e 56, kur Adolf Selmani realizoi me 11 metërsh.

Por, kryeqytetasit do të gjenin rrjetën edhe dy herë të tjera në minutat në vazhdim. Në minutën e 59 shënoi Elvi Berisha. Ndërsa, ndeshja u vulos me golin e Dijar Nikqit në minutën e 72.

Në takimin tjetër të zhvilluar në Rrogozhinë, sfida prodhoi disa raste për të dyja skuadrat por asnjë nuk u konkretizua.

Për Egnatian dhe Laçin kualifikimi mbetet i hapur për ndeshjen e kthimit.

Sfidat e kthimit Tirana – Kastrioti dhe Laçi – Egnatia do të luhen më 14 mars, duke filluar nga ora 13:00.

Të mërkurën do të luhen dy sfidat e tjera çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Vllaznia do të ndeshet me Partizanin dhe Teuta me Kukësin. Të dyja sfidat do të fillojnë nga ora 17:00. Sfidat e kthimit luhen më 15 mars.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore