Sport

Kupa e Shqipërisë, Partizani triumfon ndaj Kukësit


Partizani ka triumfuar minimalisht 1-0 ndaj Kukësit në përballjen e parë çerekfinale në Kupën e Shqipërisë.

“Kukës Arena” mirëpriti takimin e parë çerekfinal të Kupës së Shqipërisë mes vendasve të Kukësit dhe miqëve nga kryeqyteti, Partizanit.

Teksa verilindorët vijojnë me seritë e humbjeve mes Superiores dhe Kupës, nga ana tjetër “Demat” duket se janë në rrugën e duhur pas luhatjeve të para me vendosjen në stol të Orges Shehit.

Partizani triumfoi falë një goli në minutën e 43 të pjesës së parë. Një ish i kësaj sfide, Gjelbrim Taipi ndëshkoi Kukësin, me skuadrën verilindore të pavendosur mirë në mbrojtje.

Edhe pse fitoi, Partizani ende nuk ka kaluar në gjysmëfinale pasi ky raund i Kupës së Shqipërisë do të jetë me dy takime. Ndeshja e kthimit luhet në kryeqytet më 5 mars.

Kupa e Shqipërisë do të vijojë me një takim tjetër çerekfinal këtë të martë. Në “Niko Dovana”, duke filluar nga ora 17:00, Teuta do të përballet me Tiranën.

Vendasit vijnë në këtë takim pasi në katër ndeshjet e fundit në Superiore kanë arritur dy fitore, një barazim dhe një humbje. Tirana vjen nga dy humbje, një barazim dhe një fitore.

Teuta mbërrin në këtë raund të Kupës pasi triumfoi 2-0 ndaj Skënderbeut. Në krahun tjetër, Tirana vjen pasi mundi 3-0 Korabin.

Dy takimet e fundit mes dy skuadrave, të luajtura në Superiore këtë sezon, kanë përfunduar në barazim 2-2 dhe një fitore 2-0 për Tiranën.

Durrsakët dhe kryeqytetasit u përballën për herë të fundit në Kupë sezonin e kaluar në gjysmëfinale. Tirana triumfoi 3-0 në takimin e parë, ndërsa ndeshja e dytë përfundoi në barazim 0-0.

Ndeshjet e kthimit Tirana – Teuta do të luhen më 5 mars.

Dy sfidat e tjera çerekfinaliste të Kupës së Shqipërisë jane Laçi – Egnatia dhe Erzeni – Vllaznia. Ndeshjet e para do të luhen këtë të mërkurë, duke filluar nga ora 13:30.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore