Sport

Kupa e Shqipërisë: Kukësi dhe Egnatia ‘prekin’ finalen


Kanë përfunduar dy takimet e para gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë të zhvilluara pasditen e kësaj të mërkure. Kukësi ka triumfuar 2-0 ndaj Tiranës, ndërsa Egnatia ka mundur minimalisht 1-0 Vllazninë.

Dy takimet e para gjysmëfinaliste të Kupës ishin tepër interesante, si në lojë, ashtu edhe në rezultate.

Në “Kukës Arena”, vendasit morën një fitore bindëse ndaj një Tirane e cila edhe një herë tregoi paqartësi në fushë.

Verilindorët realizuan nga një gol për çdo pjesë loje. Në minutën e 19 shënoi, Theodoros Mingos. Ndërsa, avantazhi i dyfishtë erdhi në minutën e 60 me golin e Nicolai Solodovnicov.

Në fakt, kjo është fitorja e parë e Kukësit ndaj Tiranës këtë sezon, pasi bardheblutë kishin triumfuar tre herë në përballjet e Superiores (3-2, 3-2 dhe 2-1).

Aktualisht në vendin e fundit në renditjen e Superiores, Kukësi tregoi se pavarësisht kësaj mund të jetë një skuadër pretendente për Kupën këtë sezon. Një trofe i cili iu mungon që nga viti 2019.

Kujtojmë se Tirana është skuadra me më shumë trofe të Kupës së Shqipërisë, 16. Por, bardheblutë kanë një thatësire për trofe që nga viti 2017, kur mundën 3-1 Skënderbeun. Ata kanë shktuar edhe tre herë të tjera në finale së fundmi por janë mundur nga Kukësi (2-1, 2019), Teuta (2-0, 2020) dhe Egnatia (1-0, 2023).

Në takimin tjetër gjysmëfinal të zhvilluar në “Demrozi Stadium”, Egnatia mori një fitore minimale 1-0 ndaj Vllaznisë, me shkodranët që e mbyllën ndeshjen me dy lojtarë më pak.

Fernando Medeiros ishte heroi i Egnatias, kampiones në fuqi të Kupës së Shqipërisë, me golin e realizuar në minutën e 31.

Ndeshja e Vllaznisë u ndikua jo pak nga një karton i kuq i hershëm i qendërmbrojtësit serb, Milos Stojanovic. Ish-lojtari i Bylisit dhe Kastriotit në Superiore u largua nga loja në minutën e 36, me gjyqtarin Enea Jorgji që iu drejtuar VAR-it për të parë faullin e serbit, para se të vendoste përjashtimin e tij nga takimi.

10 minuta nga përfundimi i kohës së rregullt të ndeshjes, Vllaznia do të merrte një tjetër karton të kuq dhe Esin Hakaj do të mbyllte ndeshjen para kohe.

Egnatia shkroi historinë vitin e kaluar duke fituar trofeun e parë të Kupës së Shqipërisë në historinë e klubit pasi mundën Tiranën në finale. Këtë sezon, rrogozhinasit përveç kupës ndjekin edhe trofeun e Superiores.

Përsa i përketë Vllaznisë, shkodranët e kanë fituar tetë herë trofeun e kupës, më së fundmi në vitin 2022.

Ndeshjet e kthimit Tirana – Kukësi dhe Vllaznia – Egnatia janë programuar për në datën 24 prill. Dhe, në futboll është treguar se deri në vërshëllimën e fundit gjithçka mbetet e hapur për kualifikimin.

Ky trofe është mjaft i rëndësishëm për këto ekipe, pasi u jep mundësinë të luajnë në kualifikueset e UEFA Europa Conference League sezonin e ardhshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore