Sport

Kupa e Botës, dhjetëra hotele refuzojnë të pranojnë çiftet LGBTQ: Mos u vishni si homoseksualë


Hotelet zyrtare të aprovuara nga FIFA për Kupën e Botës, Katar 2022, kanë refuzuar të lejojnë qëndrimin e mysafirëve homoseksualë.

Disa hotele të tjerë u kanë kërkuar atyre të “modifikojnë” sjelljet gjatë vizitës së tyre dhe të mos “vishen si homoseksualë”.

Më herët, FIFA dhe autoritetet vendase kanë lajmëruar se anëtarët e komunitetit, LGBTQ, përfshirë tifozët e futbollit, do të jenë të mirëpritur në turneun e Katarit.

Mediat suedeze dhe ato daneze kanë kryer sondazhe në 69 hotele në Katar, duke paraqitur një çift homoseksual të sapomartuar që kërkonte të rezervonte dhe rezultati nuk ka qenë ai që pritej.

Sipas “NRK” dhe “SVT” në Suedi dhe “DR” në Danimarkë, tre hotele refuzuan kategorikisht të pranonin çiftin, pasi kjo binte ndesh me politikat e tyre (të hotelit).

20 hotele të tjera këshilluan çiftin të ndryshonte sjelljen e tyre për të shmangur shfaqjet publike të dashurisë gjatë qëndrimit të tyre, duke i sugjeruar të “mos vishen si homoseksualë”.

(Photo by Carl Recine – Pool/Getty Images)

Ndërsa, 33 hotele në listën e rekomanduar për Kupën e Botës, e cila hapet në Katar më 21 nëntor, pranuan se çifti mund të rezervonte.

Homoseksualiteti është i jashtëligjshëm në Katar.

Sipas “Amnesty International”, marrëdhëniet mes të njëjtit seks mund të çojnë në akuza penale dhe një dënim me burg deri në shtatë vjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore