Aplikacione

Kufizime dhe ndalime – Si është vepruar për të frenuar mediat sociale?


TikTok-u ka arritur ta ndajë opinionin publik më dysh.

Njëri krah kërkon lejimin e aplikacionit, por me kufizime e masa parandaluese, për t’i bërë ballë efekteve negative, të cilat në Shqipëri kanë marrë përmasa alarmante deri te vetëvrasja.

Një 41-vjeçare nga fshati Vardadhë i Sukthit në Durrësit i dha fund jetës duke pirë fotoksinë si pasojë e gjuhës së rëndë fyese e cenuese kundrejt saj në një profil të rremë në TikTok. Kurse në Kamëz, një 27-vjeçare u vetëhodh nga kati i katërt i një pallati, duke gjetur vdekjen, dhe shkak ishte publikimi i një fotografie intime të saj.

Kurse krahu tjetër, kërkon mbylljen e TikTok-ut, për të mos figuruar më askund.

Gjithë vorbulla e krijuar nga këto diskutime në sferën publike – dhe hetimet e njëpasnjëshme nga shteti në shtet kundrejt kësaj platforme të shumëndjekur – kanë ngritur gjithashtu shqetësime anembanë botës rreth privatësisë së të dhënave në të gjitha platformat e mediave sociale.

Çka ka ndezur edhe thirrje ngado për reforma ligjore për privatësinë e të dhënave.

Qeveritë që e kanë ndaluar TikTok-un nga pajisjet qeveritare kanë përmendur shqetësimet e sigurisë. Sipas tyre, qeveria kineze mund të urdhërojë kompaninë mëmë – ByteDance – të dorëzojë të dhënat që mbledh për përdoruesit.

Kështu, qeveritë perëndimore janë të bindura se nëse qeveria kineze mund të ketë akses në të dhënat e përdoruesve, interesat e sigurisë do të ekspozoheshin.

Mirëpo, përpos shqetësimeve që lidhen me privatësinë  – si informacioni bazë i hyrjes (emri, mosha, numri i telefonit dhe adresa e email-it), të dhënat e vendndodhjes, adresa IP apo të dhënat biometrike – në Shqipëri shqetësimi parësor është përhapja e shantazhit online, veçanërisht në TikTok.

Ndaj thirrjet për të ndërmarrë masa janë edhe më të forta.

Shantazhi online, vrasësi i ri i jetëve njerëzore

Por cilat janë shtetet që kanë ndaluar TikTok-un deri më tani?

Edhe pse më në zë për shkak të hetimeve të herëpashershme ndaj platformave të mediave sociale, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë të vetmet që kanë ndërmarrë ndalime të plota apo të pjesshme ndaj TikTok-ut.

Ndalimet e pjesshme kufizohen te punonjësit e qeverisë ose të sektorit publik. Kurse ndalimet e plota vlejnë për të gjithë qytetarët.

Vende si Afganistani, India, Irani, Kirgistani, Nepali dhe Somalia kanë vendosur ndalime të plota.

Ndërkohë, ndalime të pjesshme janë ndërmarrë në Australi (në pajisjet e lëshuara nga disa agjenci qeveritare), Belgjikë (në pajisjet e punës së qeverisë federale), Kanada (në pajisjet e lëshuara nga qeveria), Danimarkë (në pajisjet e stafit të Ministrisë së Mbrojtjes) dhe Francë (në telefonat e punës të nëpunësve civilë).

Gjithashtu në Letoni (në pajisjet e punës në Ministrinë e Punëve të Jashtme), Zelandë e Re (në pajisjet e punës së anëtarëve të parlamentit dhe ligjvënësve), Norvegji (në pajisjet e punës së qeverisë dhe Tajvan (në pajisjet e qeverisë).

Në Mbretëria e Bashkuar ndalimi është po ashtu në pajisjet qeveritare dhe në SHBA në pajisjet dhe sistemet e qeverisë federale.

Bashkimi Evropian sakaq, ka vendosur gjithashtu ndalim të pjesshëm, në pajisjet e stafit të Parlamentit, Komisionit dhe Këshillit të BE-së.

Ndalimi i platformave në Florida – ‘Ide e mirë’ edhe për vendin tonë?

Madje, para pak ditësh Komisioni Evropian ka hapur një hetim për të vlerësuar nëse platforma TikTok mund të ketë shkelur Aktin e Shërbimeve Digjitale (DSA) në fushat që lidhen me mbrojtjen e të miturve, transparencën e reklamave, aksesin e të dhënave për studiuesit, si dhe menaxhimin e rrezikut të përmbajtjes së dëmshme.

Sipas KE, masa vjen në bazë të hetimit paraprak të kryer deri më tani, duke përfshirë një analize të raportit të vlerësimit të rrezikut të dërguar nga TikTok-u në shtator 2023, si dhe përgjigjet e TikTok-ut ndaj kërkesave zyrtare për informacion.

Një nga fokuset e hetimit do të jetë pajtueshmëria me detyrimet e DSA-së në lidhje me vlerësimin dhe zbutjen e rreziqeve sistematike, për sa i përket efekteve negative aktuale ose të parashikueshme që rrjedhin nga dizajni i sistemit të TikTok-ut.

Këtu, përfshirë sistemet algoritmike që mund të stimulojnë varësi të sjelljes.

A mjafton vetëm ndëshkimi për TikTok-un pa fre?

Këtë fillimvit, Florida e SHBA-ve ka ndërmarrë një hap që është përshëndetur edhe nga Shqipëria. Ka vendosur të mos ketë më media sociale për fëmijët dhe adoleshentët nën moshën 17 vjeç.

Ndalimi u vendos nga një projektligj i miratuar nga Dhoma e Shtetit të SHBA-ve, një masë që përfaqëson prioritetin më të lartë për kryetarin e Kuvendit, pavarësisht miratimit të prindërve.

Projektligji nuk listoi se cilat platforma do të preken, por synon çdo faqe të mediave sociale që gjurmon aktivitetin e përdoruesve, i lejon fëmijët të ngarkojnë materiale dhe të ndërveprojnë me të tjerët dhe përdor veçori varësie të krijuara për të shkaktuar një përdorim të tepruar.

Sakaq, projektligji nuk do të prekë aplikacionet që përdoren për mesazhe private midis individëve.

Dhoma e Përfaqësuesve votoi 106-13 pro, me disa demokratë që u bashkuan me republikanët

Projektligji kërkon që kompanitë e mediave sociale të mbyllin çdo llogari që përdoret nga të miturit dhe të fshijnë llogaritë me kërkesë të një të mituri ose prindërve. Dhe se çdo informacion i llogarisë duhet të fshihet.

Me kufizime dhe ndalime, kjo duket se do të jetë panorama e përgjithshme e reagimit të shteteve ndaj mediave sociale dhe efekteve negative të përdorimit t[ tyre – sidomos nga të miturit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore