Shqipëria

Shantazhi online, vrasësi i ri i jetëve njerëzore


Vetëm një muaj e pak ditë ka kaluar nga ndodhia fatale e 41-vjeçares nga fshati Vardadhë i Sukthit në Durrësit, e cila i dha fund jetës duke pirë fotoksinë.

E gjitha pasojë e gjuhës së rëndë fyese e cenuese kundrejt saj në një profil të rremë në TikTok.

Të dielën e 11 shkurtit në Kamëz u regjistrua rasti i radhës. Një 27-vjeçare u vetëhodh nga kati i katërt i një pallati, duke gjetur vdekjen, dhe shkak ishte publikimi i një fotografie intime të saj.

Bilanci sa vjen e bëhet më tragjik, e shkaqet akoma dhe më frikësuese.

E vetmja pyetje që duket se rëndon në kokat e gjithsecilit është “Ç’po ndodh?”.

Andi Petro, psikolog klinik, e sheh problemin të rrënjosur te vetë shoqëria.

“Nuk duhet harruar se ne jemi shoqëri stigmatizuese, shoqëri me probleme nga mënyra se si e perceptojmë turpin apo ofendimin ose se si na perceptojnë të tjerët. Jemi shoqëri paragjykuese”, veçon eksperti për Albanian Post.

Krahas kësaj, Petro dallon se është rritur në masë niveli i depresionit e problemet me ankthin, të cilat rrisin probabilitetin e kryerjes së veprimeve të tilla traumatike si pasojë e shantazhimit, duke shkaktuar ndikim të fortë emocional dhe konjitiv.

Psikologu ndan tezën se ndikimi i medias sociale është aq i fuqishëm sa njerëzit kanë krijuar varësi dhe kanë ndikim të konsiderueshëm nga kjo varësi.

Sipas tij, njerëzit kanë krijuar një jetë të dytë të lidhur me median sociale.

“Ndikimi është shumë herë më i fuqishëm dhe ndaj kohët e fundit varësia dhe impakti që ka media sociale në jetë është klasifikuar në DSM-5 si një çrregullim më vete”, tregon ai.

“Sjelljet e individit në kontekstin social, mënyra se si ndiejnë dhe mendojnë, pasqyrohet ndjeshëm me problematika të sjelljeve demonstrative, të rritjes së nivelit të ankthit dhe depresionit, të bullizmit të të gjitha formave apo të problemeve traumatike deri në suicidale”, thekson psikologu.

Në të shumtën e rasteve, gjuha e urrejtjes përbën thelbin nga ku nis gjithçka.

Pandemi kibernetike

Sociologia Kledi Xhumri i referohet fenomenit si “pandemi kibernetike”.

“Pjesa më e madhe e botës tani komunikon në mediat sociale, me gati një të tretën e popullsisë së botës aktive në Facebook, Instagram dhe se fundmi në Tik Tok”, thotë ajo.

Por teksa kjo ndodh, individët e prirur drejt racizmit, mizogjinisë ose homofobisë kanë gjetur pika që mund t’i përforcojnë pikëpamjet e tyre dhe t’i shtyjnë ata drejt dhunës.

Po ashtu këto platforma u ofrojnë aktorëve të dhunshëm mundësinë për të publikuar aktet e tyre duke u bërë “shembulli më i keq, por me më shumë ndikim”.

“Shumë shpesh, liria e mendimit shfrytëzohet, duke rezultuar në gjuhën e urrejtjes dhe duke bërë për komunitetet tashmë të cenuara të nxiten më tej stereotipe dhe diskriminime”, dallon Xhumri.

Sipas sociologes, ky fenomen nuk prek vetëm një grup të caktuar, as grupet e cenueshme të shoqërisë, por ngacmon çdo individ përdorues të çdo rrjeti social.

Problemi është se po kaq të gjera janë edhe pasojat e padëshirueshme.

Xhumri tregon se gjuha e urrejtjes online është bërë një nga metodat më të shpeshta për përhapjen e retorikës dhe ideologjive përçarëse në shkallë globale, duke kërcënuar në mënyrë të drejtpërdrejtë paqen.

“Ne duhet të jemi në gjendje të kuptojmë se dëmi nuk shkaktohet nga e folura, por vet e folura përbën dëmin”, ravijëzon sociologia.

Për fat të mirë, mediat sociale e kanë aftësinë të tërheqin audiencë me miliarda, duke lehtësuar procesin e shpërndarjes së informacionit dhe eliminimit të kufijve.

Por “e njëjta teknologji që lejon mediat sociale të nxisin aktivistët e demokracisë mund të përdoret nga grupet e urrejtjes që kërkojnë të organizohen dhe rekrutojnë.

Madje, shpeshherë mesazhet “keqkuptohen, keqpërdoren dhe keqinterpretohen për interesa personale”.

“Interesi për më shumë shikueshmëri, klikime e pëlqime i manipulon përdoruesit e mediave sociale duke përdorur këtë lloj gjuhe.”, thotë ajo.

Edhe pse ky fenomen prek shoqërinë në tërësi, shumë psikologë e kanë shpjeguar sjelljen e përdorimit të gjuhës së urrejtjes si veprim individual.

“Shpeshherë, personat që përdorin gjuhë të tillë në botën virtuale vijnë nga përvoja të frikshme, nga një ambient i rëndë dhune, qoftë fizike apo psikologjike”, tregon Xhumri.

Mendohet se përmes asaj gjuhe dalin në pah pasiguritë, fobitë dhe e shkuara e secilit përdorues.

Në botën e TikTok-ut

TikTok-u është “shembulli konkret” i algoritmeve që maksimizojnë angazhimin e përdoruesve duke promovuar shpesh përmbajtje ekstreme.

Gjatë pandemisë ai ka “thyer çdo barrierë”.

“Ideologjia fillestare e TikTok-ut ishte për të sjellë ide origjinale dhe për të nxitur kreativitetin. Por shikueshmëria e lartë solli përpos kësaj edhe dëme”, thotë Xhumri.

Të tilla si varësia, ndikimi negativ në shëndetin mendor duke vendosur standarde joreale dhe terreni për bullizëm kibernetik.

“Në thelb, TikTok-u është krijuar për të shtuar përdorues aktiv, për të mësuar rreth shijeve tona, orientimeve seksuale, statusit të shëndetit mendor dhe informacione të tjera sensitive për të përfituar prej tyre në vazhdimësi”, shpjegon sociologia.

Teksa platforma ka disa politika për të frenuar gjuhën e urrejtjes, ato “nuk shkojnë aq larg sa duhet”.

A ka zgjidhje?

“Arsimi duhet të jetë në qendër të përpjekjeve, veçanërisht si një mjet parandalimi”.

Sipas Xhumrit, ai mund të jetë baza për të luftuar intolerancën dhe diskriminimin, rritjen e ndërgjegjësimit, adresimin e shkaqeve rrënjësore të gjuhës së urrejtjes dhe avancimin e përfshirjes dhe bashkëjetesës paqësore.

Por për të trajtuar një çështje kaq komplekse, lind nevoja për një qasje gjithëpërfshirëse.

Një qasje që të përfshijë “masa jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe kulturën dhe informacionin e ndërlidhur, me synimin për të eliminuar paragjykimet racore dhe gjinore”.

Çka mbetet për t’u parë është se sa do të angazhohet secili prej nesh për t’i bërë ballë këtyre pasojave negative, pa lënë mënjanë institucionet dhe shoqërinë civile.

Është fenomeni në fjalë që meriton fundin, jo jeta e njerëzve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore