Aplikacione

Ndalimi i platformave në Florida – ‘Ide e mirë’ edhe për vendin tonë?


Pak ditë më parë, në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u vendos të mos ketë më media sociale për fëmijët dhe adoleshentët nën moshën 17 vjeç.

Një masë kjo që, lehtësisht, mund të hamendësohet se do të ndiqet edhe nga vende të tjera, në një formë apo një tjetër.

Reagime pati edhe në Shqipëri.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, u shpreh se e mbështet idenë e ndalimit të përdorimit të mediave sociale nga kjo grupmoshë.

Dhe e quajti masën e ndjekur nga Florida “ide të mirë”.

Alarmi tanimë ka rënë. Por cilat janë rreziqet që u kanosen fëmijëve nga këto platforma?

Për t’u thelluar më shumë, Albanian Post ka kontaktuar psikologen Valentina Telhaj.

Ajo ka treguar se prej disa kohësh, American Psychological Association (APA) ka shprehur shqetësimin në lidhje me TikTok-un dhe ndikimin e tij në shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve.

“Aty përmendin se përdorimi i aplikacionit mund të çojë në ndikime negative, duke përfshirë rritjen e stresit, shqetësimit të imazhit të trupit dhe ndikime negative për çrregullimet e gjumit”, zbulon Telhaj.

APA gjithashtu ka shfaqur kujdes për ekspozimin ndaj përmbajtjeve të pasakta dhe rreziqeve të sigurisë në rrjet.

Mirëpo, sipas saj, paçka këtyre thirrjeve duket sikur trendi ende vazhdon e rritet çdo herë dhe më shumë nga përdorues të grupmoshave të vogla.

Përdorimi  i TikTok-ut deri në moshat 16 vjeç, sipas APA, mund të çojë në disa çrregullime mendore dhe shqetësime në shëndetin mendor.

“Përmbajtja e aplikacionit mund të ndikojë në imazhin për veten dhe vetëvlerësimin, duke krijuar presion të padobishëm dhe standardet e pazakonta të bukurisë”, veçon Telhaj.

Po ashtu ekspozimi ndaj komenteve negative dhe ndikimi i konkurrimit për vëmendje mund të çojë në rritje të ankthit dhe depresionit sidomos te kjo grupmoshë.

Psikologia thekson se është e rëndësishme të kujdesemi për përdorimin të moderuar, të kontrolluar të aplikacioneve sociale në këtë grupmoshë dhe të ofrojmë mbështetje për t’i ndihmuar ata të zhvillojnë një raport të shëndetshëm me teknologjinë.

Kjo pasi disavantazhet mund të jenë të lidhura me ndikimin e padëshiruar mbi imazhin e trupit, përhapjen e informacioneve të pasakta dhe kohëzgjatjen e përdorimit të ekranit, që mund të çojë në shqetësime për gjumë dhe shëndetin mendor dhe jo vetëm.

“Është e rëndësishme të monitorohet kohëzgjatja dhe përmbajtja për të minimizuar ndikimin negativ te përdoruesit e rinj”, apelon ajo.

Perceptime të shtrembëruara

Ndërkohë, psikologe Elona Braçja ka thënë për Albanian Post se mediat sociale janë kthyer në një trend të kohës, ama edhe në një varësi të madhe psikologjike për të gjithë. Sidomos te fëmijët.

“Një varësi kjo, që ka ndikim të pallogaritshëm në shpenzimin e kotë të kohës së tyre fizike. I shkëput ata nga realiteti, i distancon nga gjithëpërfshirja psiko-sociale”, dallon ajo.

Ekspozimi i shumëkujt nëpërmjet filtrave të ekzagjeruar dhe jo-realiste, sipas saj, e dëmton rëndë shëndetin mental të fëmijëve.

Po ashtu shtrembëron imazhin dhe perceptimin e tyre për realitetin.

E gjitha kjo sepse “bota virtuale është një realitet dhe ajo reale realitet tjetër”.

“Kur ata dalin nga bota e përkryer e mediave sociale dhe përballen me realitetin e vërtetë, mendojnë se të dyja këto botë janë njësoj”, tregon Braçja.

Këtu merr jetë edhe vet problemi.

“Kjo është faza kur shëndeti i tyre mendor përjeton një disbalancë, në një konflikt social, psikologjik dhe ndëpersonal”, veçon ajo, çka rezulton në ankth dhe stres psikologjik.

Psikologia ravijëzon se avancimet teknologjike kanë ndikuar në ftohjen e raporteve të përditshmërisë së çdo grupmoshe, veçanërisht të fëmijëve.

“Më përdorimin e mediave sociale, dukuria e bullizmit kibernetik është në rritje sepse me komunikimin online shtohet mundësia për kontakt me të panjohur dhe rrjedhimisht, dukuritë negative kanë më shumë probabilitet për të ndodhur”, sqaron ajo.

Paçka se në një mjedis të tillë social, vështirësitë për t’ju shmangur episodeve të padëshiruara duken të pamundura, psikologia ofron disa rekomandime.

Për të, asgjë nuk është e pamundur. Edhe pse zhvillimi teknologjik është goxha i vrullshëm.

“Sa më pak kohë e harxhuar në mediat sociale. Kjo është zgjidhja”, thekson ajo.

Ndalimi në Florida

Ndalimi u vendos nga një projektligj i miratuar nga Dhoma e Shtetit të SHBA-ve, një masë që përfaqëson prioritetin më të lartë për kryetarin e Kuvendit, pavarësisht miratimit të prindërve.

Projektligji nuk liston se cilat platforma do të preken, por synon çdo faqe të mediave sociale që gjurmon aktivitetin e përdoruesve, i lejon fëmijët të ngarkojnë materiale dhe të ndërveprojnë me të tjerët dhe përdor veçori varësie të krijuara për të shkaktuar një përdorim të tepruar.

Sakaq, projektligji nuk do të prekë aplikacionet që përdoren për mesazhe private midis individëve.

Dhoma e Përfaqësuesve votoi 106-13 pro, me disa demokratë që u bashkuan me republikanët

Mbështetësit thonë se mediat sociale i ekspozojnë fëmijët ndaj bullizmit dhe grabitqarëve seksualë dhe mund të çojnë në depresion, vetëvrasje dhe një obsesion të varur.

Projektligji kërkon që kompanitë e mediave sociale të mbyllin çdo llogari që përdoret nga të miturit dhe të fshijnë llogaritë me kërkesë të një të mituri ose prindërve.

Çdo informacion i llogarisë duhet të fshihet.

Por ka pasur edhe kundërshtarë të tij, të cilët kanë thënë se projektligji shkel Amendamentin e Parë dhe heq përfitimet që disa fëmijë marrin nga mediat sociale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore