Sport

“Kryevepra” e Asanit shpallet goli i raundit nga UEFA


Goli i anësorit Jasir Asani që çoi peshë të pranishmit në “Air Albania” të shtunën e 17 qershorit është shpallur nga faqja zyrtare e UEFA-s si goli i këtij raundi.

I dyti u rendit goli i Elif Elmas për Maqedoninë e Veriut, i treti Ranos për Armeninë dhe i katërti goli i Bernardo Silva-s për Portugalinë.

Kjo ishte ndeshja e dytë e Asanit për Shqipërinë dhe goli i tij i parë. E për këtë tha se është goli më i rëndësishëm i karrierës së tij deri më tani.

Kujtojmë që Shqipëria fitoi ndeshjen e parë në kualifikueset e “Euro 2024”.

Kuqezinjtë triumfuan 2-0 ndaj skuadrës së Moldavisë në “Air Albania” dhe tani renditen në vendin e tretë me tre pikë në grupin E, pas Polonisë dhe Çekisë.

Ndaj një Moldavie të vendosur mirë mbrapa, Shqipëria nuk shënoi dot në pjesën e parë që përfundoi 0-0.

E dyta nisi vrullshëm për Kombëtaren tonë, që ia doli ta zhbllokonte ndeshjen në minutën e 52-të me një goditje të fortë nga distanca e Jasir Asanit.

Nedim Bajrami në minutën e 76-të ndëshkoi për të dytën herë skuadrën e Moldavisë dhe hipotekoi fitoren e Kombëtares sonë.

Kuqezinjtë gjenden në Ishujt Faroe, për të zhvilluar takimin e tretë të kualifikueseve të Euro 2024. Kjo sfidë është programuar më datë 20 qershor, prej orës 20:45.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore