Kosova

Kryetarët e 4 komunave veriore s’i kanë të sigurta objektet e komunës: Takohen me ministrin për gjetjen e një zgjidhje


Që kur dolën fitues në garën për kryetarë komunash në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës, më 23 prill, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tek sot i takoi katër kryetarët e rinj.

“Për komunën time, mbetën do këshilla të na i japin të hënën se si të vazhdojmë e si të procedojmë”, deklaroi Ilir Peci, Kryetari i ri i Zveçanit, në një prononcim për Albanian post, pas takimit me ministrin.

Peci bëri të ditur se akoma nuk është përcaktuar nëse mbledhja solemne e kuvendit për legjitimim të asamblesë komunale do të mbahet në objektin e komunës apo në ndonjë lokacion tjetër.

“Se ku të mbahet seanca e parë, në objekt të komunës apo në zyrën për komunitete, aty mbet ministria të merret me atë çështje dhe të na tregojë se si të veprojmë”, tregoi ai.

Përveç betimit të Kryetarit të Komunës, në Zveçan duhet të legjitimohet dhe asambleja komunale, pasi që zgjedhjet në këtë komunë e në Leposaviç, gara u bë edhe për kuvend komunal.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale në Kosovë, Mbledhja Inauguruese e Kuvendit të Komunës “mbahet brenda 15 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve” – të premten e kësaj jave.

Por, nëse kjo nuk arrihet, atëherë ekziston edhe një afat shtesë, i cili i jep mandat asamblistit më të vjetër të komunës të thërras seancën për legjitimim.

“Nesër ne e kemi 15 ditëshin, afatin e fundit ku ne si kryetar duhet ta thërrasim seancën, por pas 15 dite, i takon asamblistit më të vjetër të thërrasë seancën. Të hënën na tregojnë ministria neve dhe komunës së Leposaviqit se kur të caktojmë afatin edhe kohën e vendin e seancës solemne”, tha Peci.

Në takimin e sotëm me ministrin Elbert Krasniëi, Peci tregon se MAPL u ka premtuar se do t’u ndihmoj në organizimin e seancave solemne.

“Për shkak të specifikave, do të na ndihmojnë. Nëse na thonë ta mbajmë në objekt të komunës ne e mbajmë aty, por edhe nëse mbahet jashtë objektit të komunës patjetër që brenda javës kur të bëj betimin, patjetër që do të shkoj në objekt të komunës, në zyrë të kryetarit”, tregon ai.

Peci ka bërë të ditur se ka paralajmërime se serbët e komunës që do të drejtojë pas betimit, duan ta bllokojnë procesin.

Rrjedhimisht, sipas tij, ministria po shqyrton mundësinë e organizimit të katër ceremonive të betimit, në katër komuna, në një ditë të përbashkët.

“A do ta mbajmë ceremoninë solemne të katërtit në një ditë apo ditë pas dite, ata na tregojnë, varet nga ata”, përfundon Peci.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, neni 57, nëse katër kryetaret e sapo zgjedhur nuk japin betimin në afat prej 30 ditësh nga certifikimi ata automatikisht e humbasin mandatin.

Njëjtë si për komunën e Zveçanit, në këtë takim të përbashkët me ministrin, nuk u përcaktua asgjë as për komunën e Leposaviqit.

“U koordinuam për do punë e disa detaje se çka të bëjmë e si të veprojmë. Ne e kemi asamblenë të pa formuar akoma dhe kemi pak më shumë punë”, ka deklaruar Lulzim Hetemi, kryetar i ri  Leposaviqit, në një prononcim për Albanian Post.

“Ne duhet shpejtë të takohemi dhe të veprojmë, edhe pse qe një javë jemi certifikuar, kemi kohë akoma, jemi brenda afateve ligjore, por duhet të ecim”, tregon ai.

Hetemi tha se ministri Krasniqi nuk u tha asgjë konkretisht por u premtoi bashkëpunim.

Bashkëpunim i është premtuar edhe kryetarit të ri të Zubin Potokut, Izmir Zeqirit. Në këtë komunë procedurat do të jenë më të shkurta, pasi që zgjedhjet e jashtëzakonshme u mbajtën vetëm për Kryetar Komune.

“E kemi mbështetjen e ministrit, ministrisë e qeverisë, jemi të harmonizuar për të vazhduar tutje. Po përpiqemi që të gjitha procedurat ti bëjmë me ta dhe në koordinim me ta. Diçka konkrete nuk folëm”, tha Izmir Zeqiri në një prononcim për Albanian Post.

Zeqiri tha se ministri u ka garantuar se do të veprojnë brenda afateve ligjore.

“S’ka ndonjë pengesë që na rrezikon të humbim mandatin”, përfundon Zeqiri.

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, këtë të enjte ka takuar kryetarët e rinj të cilët u zgjodhën në zgjedhjet e 23 prillit për katër komunat veriore.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, Krasniqi ka bërë të ditur se kryetarët e rinj të zgjedhur do të jenë në koordinim me Ministrin të cilën ai e drejton për konstituimin e organeve komunale, brenda afatave kohore të përcaktuara me ligj.

“Erdenit, Lulzimit, Izmirit dhe Ilirit i kam uruar përgjegjësinë dhe detyrën e re. MAPL, do të jetë në koordinim me Kryetarët dhe asambleistët e zgjedhur në konstituimin e organeve komunale, brenda afateve kohore të përcaktuara me ligj”, ka shkruar shkurtimisht Krasniqi.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Veri të Kosovës, të mbajtura të dielën e 23 prillit përfunduan qetë dhe pa asnjë incident, mirëpo siç edhe pritje me pjesëmarrje tejet të ulët.

Ndërsa pesë ditë më vonë zgjedhjet në fjalë u certifikuan nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Në bazë të këtij rezultati, komunën e Mitrovicës Veriut dhe atë të Leposaviqit e kanë fituar kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, respektivisht Erden Atiq dhe Lulzim Hetemi.

Kurse komuna e Zveçanit dhe ajo e Zubin-Potok janë fituar nga kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës, respektivisht Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri.

Erden Atiq në Komunën e Mitrovicës së Veriut ka marrë 553 vota duke lënë pas kandidatin e PDK-së për kryetar të kësaj komune, Taluant Kelmendin i cili ka fituar vetëm 193 vota.

Lulzim Hetemi është zgjedhur kryetar i Komunës së Leposaviqit me vetëm 100 vota.

Në anën tjetër Ilir Peci ka grumbulluar 114 vota ndërsa Izmir Zeqiri 197 vota.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore