Lajme

Kryeprokurorja dhe kryespiuni ukrainas nuk janë shkarkuar ende


Iryna Venediktova dhe Ivan Bakanov nuk u shkarkuan përkatësisht nga postet e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Shefit të Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës.

Zyrtarëve ukrainas iu hoq e drejta vetëm për të kryer inspektime zyrtare, pas së cilës presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të vendosë nëse do të dorëzojë parashtesat përkatëse në Parlament.

Lajmin e bëri të ditur zëvendës shefi i zyrës së presidentit, Andriy Smirnov gjatë transmetimit të teletonit informativ.

“Nuk flitet ende për shkarkimin e këtyre dy zyrtarëve. Po flasim për faktin se presidenti dhe të gjithë ne kemi pritur mjaft gjatë për rezultate më konkrete dhe, ndoshta, radikale nga krerët e këtyre organeve për të spastruar bashkëpunëtorët dhe tradhtarët e shtetit”, citoi zyrtarin – agjencia “Ukrinfom”.

Arsyeja kryesore, shtoi ai, ishte se në muajin e gjashtë të luftës, në këto organe ligjzbatuese vazhdojnë të identifikohen pothuajse çdo javë bashkëpunëtorë.

Kjo, në mënyrë që të parandalohet ndikimi i mundshëm i këtyre dy zyrtarëve në procedimin penal ndaj punonjësve të SBU-së që dyshohen për bashkëpunim me Rusinë.

Smirnov shpjegoi ndryshimin në formulim në dekretet e kreut të shtetit me faktin se prokurori i përgjithshëm ishte “larguar” në përputhje me të drejtën e presidentit për të hequr një zyrtar që emërohet dhe shkarkohet prej tij.

Në të njëjtën kohë, ai kujtoi se “largimi” i Bakanov-it nga kryerja e detyrave të tij ishte përcaktuar në përputhje me Statutin Disiplinor të Forcave të Armatosura të Ukrainës, pasi kreu i SBU-së është një ushtarak.

“Ky është dallimi kryesor mes këtyre dy akteve nënligjore për largimin nga detyra dhe largimin nga kryerja e detyrës zyrtare”, sqaroi nënkryetari i Presidencës ukrainase.

Ai shtoi se do të bëhen kontrolle dhe hetime zyrtare në lidhje me Bakanov-in dhe Venediktova-n.

Vetëm pas tyre presidenti do të vendosë për nevojën për t’i paraqitur parlamentit një mocion për miratimin e shkarkimit të prokurorit të përgjithshëm dhe kreut të Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore