Lajme

Kryeministri Kurti bën thirrje për të marrë dozën e tretë të vaksinës


Albin Kurti - Kryeministër i Republikës së Kosovës.

Rreth 900 mijë qytetarë të Kosovës janë Vaksinuar deri tani dhe janë administruar deri në 1 milion e 800 mijë vaksina.

Me këto të dhëna ka nisur një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për donacionet në mbi një milion vaksinave.

“Këto arritje kanë ardhur si rezultat i vullnetit të qytetarëve të Republikës për të mbrojtur vetveten dhe të tjerët rreth tyre, si dhe i punës së palodhshme të punonjësve shëndetësorë, për të cilën jemi të gjithë falënderues”, shkruan Kurti.

“Mirëpo, përderisa pandemia ende nuk ka marrë fund, edhe fushata jonë e vaksinimit duhet ende të vazhdojë”, shkruan kryeministri, “për këtë arsye, kemi pranuar dje një donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës prej 515,970 dozave shtesë”.

“Në total arrihen mbi 1 milion vaksina të dhëna nga ShBA”, specifikon kryeministri.

“Ky donacion do ta ndihmojë Kosovën që të zgjerojë sa më shumë imunitetin mes popullatës sonë. U jemi përjetësisht mirënjohës ShBA-së dhe aleatëve të tjerë që kanë kontribuar në betejën tonë kundër COVID-19”.

Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve për vaksinim duke thënë “të marrin dy dozat e para sa më shpejt”.

“Mbrojtja kundër infektimit, spitalizimit dhe humbjes së jetës bie dukshëm duke filluar disa muaj pas imunizimit me dy dozat e para”.

“Andaj, për ta rifituar imunitetin e plotë duhet të merrni edhe dozën e tretë përforcuese, posa të kalojnë tre muaj pas marrjes së dozës së dytë”, përfundon Kryeministri, Albin Kurti.

Mbi 500 mijë doza të vaksinës Pfizer, të siguruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka pranuar këtë të premte Kosova.

Pas pranimit të këtij kontingjenti, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën për media falënderoi ShBA-në për donacionin.

“Më lejoni që në emër të qeverisë të falënderoj ShBA-në dhe iniciativën COVAX për dhurimin e vaksinave. Për këtë jemi përjetësisht mirënjohës”, tha ai.

Kurti poashtu shtoi se lirimi i masave varet nga niveli i vaksinimit të qytetarëve

“Në një kohë kur rastet e infektimit janë duke rënë, disa mund të pyesin pse vaksinat vazhdojnë të jenë të domodosshme”.

“Së pari imuniteti i fituar mes popullatës tonë ka filluar gradualisht që të bjerë. Pesë deri në gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë imuniteti bie në 10%. Një rënie e tillë e imunitetit mund të krijojë kushtet për një valë të re të infektimeve, prandaj është e domosdoshme që qytetarët të vaksinohen me dozën e tretë. Lirimi i mëtejshëm i masave varet drejtpërsërdrejti nga niveli i vaksinimit në vend”.

“Jam i vetëdijshëm për vështirësitë që janë shkaktuar nga masat sidomos në aspektin ekonomik. Vaksinat vazhdojnë të jenë jetike”, tha Kurti.

Në këto dy vite ballafaqimi me COVID19, Kurti e quajti sukses menaxhimin e pandemisë në Kosovë.

“Në mes të dy valëve të virusit Corona, atij Delta dhe atij Omicron, Kosova ka arritur ti mbajë në minimum kostot njerëzore”, tha Kurti.

“Gjatë valës së variantit Delta, kemi pasur shkallë dukshëm më të ulët të humbjes së jetës, sesa vendet e tjera të Ballkanit. Përkatësisht gati 2.5 herë më të ulët për kokë banori sesa mesatarja e këtyre vendeve”.

“Ndërsa gjatë valës së variantit Omicron e cila nuk ka përfunduar ende. Vendi ynë përsëri po arrin të minimizoj numrin e të infektuarve me COVI 19,i cili numër deri më tani qëndron pothuajse gjashtë herë më i ulët për kokë banori krahas me këto vende”.

“Kjo është një strategji anti COVID e cila quhet “Vaksinë plus””, ka specifikuar Kryeministri.

”Kjo strategji ka dy elemente kryesore, së pari Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me institucionet kryesore ka treguar dijeninë shkencore dhe guximin politik duke vendosur masa efikase të mbrojtjes së shëndetit publik siç janë mbajtja e maskave dhe sigurimi i distancës fizike në ambiente super shpërndarës”.

“Vetëm gjatë muajve gusht dhe shtator të vitit 2021, janë administruar gjithsej 9 qind e 15 mijë doza të vaksinës”.

Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në ceremoninë e pranimit të vaksinave, deklaroi se SHBA mbetet aleate e Kosovës.

“Në muajin mars të 2021, kur pandemia përbente kërcënim serioz për të gjithë globin, i jam drejtuar presidentit Joe Biden, me kërkesë për të na ndihmuar me vaksina, në kohën kur kishim 0 vaksina, ishte situatë e ndjeshme. Ndërkohë që numrat rriteshin, angazhimi ynë por zemërgjerësia e miqve tanë bëri që të sigurojmë vaksina që të shpëtojmë jetë”.

“Sikurse në vitin 1999 SHBA u dëshmua krahë nesh, atëherë na shpëtuan nga lufta, ndërsa tani nga të gjitha variantet e COVID-19. SHBA mbetet aleate e Kosovës”, pohoi ajo.

“Secili nga ne ka përgjegjësi jo vetëm me shëndetin personal por edhe atë të të gjithë qytetarëve tanë. Prandaj duhet ti shtojmë përpjekjet tona për vaksinim, duke konsideruar këtë veprim, një obligim qytetar e njerëzor dhe një masë e domosdoshme për sigurinë tonë”.

“Sot kur kemi këtë sasi të konsiderueshme vaksinash, duhet ta rrisim shpresën dhe përpjekjen në përballje me virusin COVID”.

“Sa më shumë vaksina aq më pak vdekje”, ka specifikuar presidentja.

“Sa më shumë vaksina e vaksinim aq më shumë optimizëm për triumf ndaj kësja të keqeje”.

“Sa më shumë vaksinim aq më shumë shanca për hapje, ndihmë ekonomisë dhe rikthim të normalitetit”, k vazhduar ajo.

“E gjithë kjo po bëhet e mundur me ndihmën e miqve tanë”, përfundoi Presidentja Osmani.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka thënë se ky donacion është siguruar nga presidenti amerikan Joe Biden.

“Po bëjmë pranimin e kontingjentit prej 515 mijë e 970 dozave të vaksinës kundër Covid-19 të siguruar nga presidentit i Shteteve të Amerikës Joe Biden dhe shteti mik i Kosovës”, ka thënë Latifi.

Latifi tha se stokut të vaksinave në MSH u janë shtuar edhe mbi 500 mijë vaksina kundër Covid-19.

“Me këtë dhuratë nga ShBA-të, stokut të vaksinave që MSh-ja i ka në dispozicion për qytetarët tanë i shtohen edhe mbi 500 mijë doza të tjera për të ndihmuar edhe më tej luftën kundër Covid-19”, ka thënë ai.

Ministri më tutje u ka bërë thirrje qytetarëve mbi moshën 12 vjeçare që të vaksinohen kundër Covid-19.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore