Lajme

Kryeministri australian do të takohet me Xi Jinping në vizitën e shumëpritur në Kinë


Kryeministri australian Anthony Albanese dhe presidenti kinez Xi Jinping së shpejti do të ulen për bisedime.

Bisedime këto mes tyre, që synojnë lehtësimin e tensioneve prej vitesh në Pekin.

Albanese, i cili mbërriti në Shanghai të shtunën, është lideri i parë australian që viziton Kinën që nga viti 2016.

Dhe kjo vizitë e tij shihet si një moment kyç në shkrirjen e marrëdhënieve, pas një sërë mosmarrëveshjesh tregtare dhe sigurie.

Sakaq, pritet që tregtia të jetë në krye të agjendës pasi Albanese po bën thirrje për heqjen e tarifave kineze ndaj mallrave australiane.

Kurse Xi pritet të kërkojë më shumë akses në sektorët kryesorë australianë.

“Ajo që kam thënë është se ne duhet të bashkëpunojmë me Kinën ku të mundemi, të mos pajtohemi aty ku duhet dhe të angazhohemi në interesin tonë kombëtar”, ka sqaruar Albanese.

Udhëtimi i tij pason një ngrirje diplomatike të shkaktuar – ndër të tjera – nga thirrjet e Australisë për një hetim mbi origjinën e COVID-19, dhe sanksionet ekonomike të miratuara nga Pekini për eksportet kryesore australiane si viçi, vera dhe elbi.

Po ashtu përkon me 50-vjetorin e vizitës ikonike të Gough Whitlam në Kinë për të vizituar Mao Ce Dunin në vitin 1973, duke shënuar udhëtimin e parë të një kryeministri australian pas vendosjes së lidhjeve diplomatike.

Albanese – i pyetur nga gazetarët nëse Australia mund t’i besojë Kinës – ka thënë se angazhimet e tij të kaluara me Xi kanë qenë pozitive dhe konstruktive.

“Por ne e pranojmë, gjithashtu, se vijmë me sisteme të ndryshme politike, vlera shumë të ndryshme që dalin nga kjo dhe histori të ndryshme. Por ne merremi me njëri-tjetrin me vlerë nominale”, ka shtuar ai.

Por një listë e pikave ngecëse dhe shqetësimeve të sigurisë do të varet gjatë bisedimeve të së hënës.

Disa ekspertë parashikojnë se Pekini mund të nxisë për akses më të madh në burimet e Australisë dhe sektorët e energjisë së rinovueshme.

Por vitet e fundit, qeveria australiane ka marrë masa për të penguar pronësinë kineze të mineraleve kritike dhe projekteve minerare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore