Lajme

Kroacia pritet të kufizojë çmimet e vajit, qumështit, sheqerit dhe mishit të grirë


Ilustrim

Qeveria kroate, pritet të shpallë një paketë masash me të cilat synon të ndihmojë qytetarët dhe rrjedhimisht të zbusë krizën ekonomike në vend.

Masat të cilat pritet të shpallen kanë për qëllim kufizimin e çmimit për disa produkte bazë ushqimore.

Sipas mediumit kroat “RTL”, çmimet e qumështit, vajit, sheqerit dhe mishit të grirë do të kufizohen me qëllim të ruajtjes së konsumit dhe aktivitetit ekonomik.

Sipas informacioneve jozyrtare, të cilat i posedon ky medium, paketa e re ekonomike pritet të kushtojë buxhetit shtetërore mbi 1 miliardë euro.

Krahas ndihmave për qytetarët, kroatët pritet të ofrojnë edhe ndihma për bizneset e vogla dhe ato të mëdha.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurit, në një konferencë për media të shtunën, ka prezantuar pakon e re ekonomike që synon mbështetjen e qytetarëve për t’u përballur me krizën inflacionare në vend.

Pika e parë e pakos, sipas Kurtit do të përqendrohet te të gjithë ata të cilët kursejnë energji elektrike.

“Nisur nga gjendja e rënduar me energji, sot më shumë se kurrë është e domosdoshme të kursejmë, andaj do të subvencionojmë ata që do të kursejnë energjinë elektrike. Për aq sa kursehet në raport me të njëjtin muaj të vitit paraprak ne do të subvencionojmë dy fish faturën”, ka thënë Kurti.

Më tej i pari i ekzekutivit ka bërë të ditur se qeveria do të procedojë në Kuvend, Projektligjin për Punë publike, e cila parasheh kompensimin për inflacion për materialet ndërtimore dhe punët përcjellëse për kontratat ekzistuese të punës.

“Kjo me qëllim të përshpejtimit të dinamikës së implementimit të projekteve kapitale”, ka shpjeguar ai.

Pakoja e re, sipas Kurtit parasheh ndarjen e një shume prej 100 eurosh për pensionistët, kurse familjeve me asistencë sociale mbështetje duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj.

Kurti më tej ka bërë të ditur se për zyrtarët publik do të ndajnë shtesën prej 50 eurove, duke filluar nga muaji shtator, kurse për punëtorët në ndërmarrjet publike do të ndajnë shumën e njëhershme prej 100 eurosh.

“Jemi të vetëdijshëm që inflacioni ka ndikuar që jetët të vështirësohen për gjithë pa dallim, mirëpo kjo gjendje është edhe më e rënduar në sektorin privat”, ka shtuar ai.

I pari i Qeverisë, ka bërë të ditur se me pakon e re do të mbështetet secili biznes që i rritë pagat e punëtorëve, duke subvencionuar 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorët maksimumi 100 euro për tre muajt e parë.

Nga pakoja, sipas Kurtit do të përfitojnë edhe studentët.

“E përkrahjen tonë do ta zgjerojmë edhe për studentët e republikës, për të cilët do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 euro në muajin nëntor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore