Lajme

Kriza ekonomike – Kurti: Është mirë të kursejmë, është patriotizëm


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, deklaroi se Kosova është ndër vendet me shifrat më të ulëta të inflacionit, krahasuar me vendet e zhvilluara evropiane, derisa ka porositur qytetarët që nuk duhet të jenë pesimistë, por të kenë realizëm ekonomik dhe të kursejnë.

Ai ka theksuar se “kursimi është patriotizëm”.

“Me inflacionin jemi ndër vendet me shifrat më të ulëta, krahasuar me vendet e zhvilluara evropiane, sa i përket mbështetjes ekonomike që po i japim sektorit të energjisë, sipas ‘Financial Times’, Kosova është vendi i katërt në Evropë. Kjo mbështetje është në disa forma”, tha Kurti.

“Çmimet po rriten, është mirë të kursejmë. Pra jo pesimizëm, por realizëm ekonomik. Kursimi në këtë kohë krize është patriotizëm. Ata që thonë mos kurseni duan t’iu vjedhin”, tha Kurti.

Ndryshe, inflacioni për muajin korrik ka arritur në 14.2 për qind në raport me muajin korrik të vitit të kaluar.

Kështu të paktën ka bërë të ditur Agjencioni i Statistikave të Kosovës. Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit, është më i lartë në një mesatare prej 0. 9 për qind në muajin korrik 2022, krahasuar me muajin qershor të po këtij viti.

Kjo rritje e çmimeve është kryesisht te shërbimet për transport 9.4 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. 7.4 për qind.

Kurti – deputetëve të LV-së: Nëse nuk përkushtoheni, atëherë s’do të jeni në listat e ardhshme

Kurti, ka falënderuar deputetët për punën e tyre gjatë kësaj periudhe të qeverisje, por edhe i ka paralajmëruar se “nëse nuk përkushtoheni tash e këtu, në maksimum për programin e Lëvizjes, nëse nuk tregoni modesti në jetën e përditshme, nëse nuk e ndihmoni qeverinë, gjasat janë që deputetët që janë në mesin tonë, do të jenë ata që nuk do të jenë në listat e ardhshme”.

“Askush nuk e ka votuar deputetin tonë që të mungojë në seanca”, tha Kurti.

Kreu i Qeverisë po ashtu ka theksuar se ministrat dhe zëvendësministrat në Qeverinë e tij do të vlerësohen, derisa ka shtuar se “nuk kemi nevojë për mendjemëdhenj”.

“Kush e merr një pozitë në qeverinë time, e merr për të shërbyer, jo për të sunduar. Ministrat e zv.ministrat nuk janë shefa, janë udhëheqës të projekteve zhvillimore, në përputhje me kushtetutshmërinë dhe me ligjet. Prandaj, modestia është cilësia që na duhet, sidomos në këtë kohë krize, e shoqëruar me vendosmëri të cilën e kemi përherë”, shtoi ai.

Ai theksoi se kanë ndarë 100 milionë euro për të zbutur ndikimin e rritjes së faturave të energjisë.

“Çmimi i energjisë është vazhdimisht në rritje, prandaj na duhet një debat i hapur dhe i sinqertë mes nesh mbi gjendjen që jemi dhe sfidën që kemi përpara në mënyrë që gjatë dimrit të fokusohemi  në atë që është e mundur e mbi të gjitha është kursimi i energjisë”, u shpreh ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore