Kampionate

Kriza e Juventus-it, e dukshme edhe në shifra


Juventus-i në verë emëroi në krye të pankinës ish-teknikun, Massimiliano Allegri. “Zonja e Vjetër” kishte besimin se livornezi do e kthente në majë, pas dy sezoneve jo fortë të mira nën drejtimin e Maurizio Sarri-t dhe Andrea Pirlo-s.

Me Allegri-n, Juventus-i fitoi pesë nga nëntë trofetë e njëpasnjëshëm në Serie A përgjatë këtyre viteve të fundit.

Nën drejtimin e Pirlo-s, sezonin e kaluar Juventus-i kishte pesë pikë më shumë, duke iu referuar ndeshjeve të luajtura aktualisht.

Mbrojtja aktuale e Juventus-it ka pësuar 13 gola në 10 ndeshjet e para. Kjo është statistika më e keqe e bardhezinjëve në Serie A në 33 vitet e fundit, që nga sezoni 1988/89.

Gjithashtu, bardhezinjtë kanë edhe golavarazhin më të keq të epokës Allegri. Ata kanë shënuar 14 gola dhe kanë pësuar 13, pra +1. Duke qenë kështu dhe sulmi i dytë më i keq në 13 vitet e fundit, pas atij në sezonin 2015/16 me po 14 gola.

Skuadra torineze ka tashmë tre humbje në 10 ndeshjet e para. Një statistikë e tillë është arritur edhe dy herë të tjera në historinë klubit, që nga koha kur fitorja llogaritet tre pikë. E para ishte në sezonin 1995/96 dhe e dyta në 2015/16.

Allegri është rikthyer, por jo kohët e mira për Juventusin në Serinë A. Tashmë ata e shikojnë veten 13 pikë larg kreut të renditjes, që mbahet nga Milan-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore