Shqipëria

Krifca në panirin bujqësor në Gjermani: Eksportet bujqësore do të arrijnë vlerën e 1 miliard dollarëve


Në Berlin është zhvilluar panairi më i madh i marketimit të produkteve bujqësore në Evropë ku morën pjesë 135 shtete, ndër ta edhe Shqipëria është përfaqësuar me 11 nga kompanitë më të mëdha të prodhimit dhe përpunimit bujqësor.

E pranishme në panair ishte edhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, e cila tha se synimi i Qeverisë është që eksportet bujqësore të arrijnë vlerën e 1 miliard dollarëve.

Gjithashtu ajo vizitoi edhe pavionin e Shqipërisë ku ishin të ekspozuara disa nga produktet kryesore të prodhimit të vendit.

“Janë 11 kompani shqiptare të cilat në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe mbështetjen e GIZ janë përfaqësuar denjësisht sot në këtë panair, më të madhin në Evropë për marketimin e produkteve bujqësore”, tha Krifca.

Në fjalën e saj ministrja shtoi se Shqipëria synon të eksportojë produktet e saj në tregjet më të sofistikuara të Evropës dhe “eksportet bujqësore të arrijnë shifrën 1 miliard dollarë”.

“Jemi në gjysmë të kësaj rruge, por falë punës së prodhuesve tanë të dedikuar i kemi të gjitha premisat për ta arritur qëllimin tonë”, u shpreh ministrja Krifca,

Ministrja e Bujqësisë ka marrë gjithashtu pjesë edhe në ministerialin e organizuar nga Ministri Gjerman i Bujqësisë dhe Ushqimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Takimi kishte për qëllim një dialog të hapur për politikat rurale, ku u diskutua për tregtinë e lirë dhe hapjen e tregjeve ushqimore në situatën aktuale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore