Lajme

Krasniqi në Tiranë: Intensifikimi i bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri duhet të jetë prioritet shtetëror


Memli Krasniqi dhe Lindita Nikolla

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri, të enjten e 10 shkurtit ka takuar Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, me ç’rast që të dy kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në mes të Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë, dhe për mundësinë e krijimit të platformave të përbashkëta të veprimit.

“Partia Demokratike e Kosovës e konsideron prioritet shtetëror intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërise, në të gjitha fushat, andaj do të vazhdoj të luaj rol qendror në këtë drejtim. Dy shtetet tona duhet të jenë bashkë e më të forta, në rrugën e integrimit euro-atlantik”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin e tij social në Facebook.

Gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri, Krasniqi bashkë me kryetarin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri dhe nënkryetarët e partisë, Vlora Çitaku dhe Uran Ismaili, gjithashtu ka takuar udhëheqësin e shumicës parlamentare të Shqipërisë dhe Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Bala ku me ç ‘rast janë dakorduar si parti politike dhe si Grupe Parlamentare në përafrimin dhe koordinimin e agjendës shtetërore të dy vendeve.

Mbledhja e dy qeverive më 26 nëntor në Elbasan

Ndryshe më 26 nëntor të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë nënshkruar marrëveshjet në një mbledhje të përbashkët të dy qeverive në Elbasan, të fushave të ndryshme.

Në mbledhjen dy qeverive, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar se kjo është mbledhja e shtatë mes dy vendeve dhe e para e tij si kryeministër.

Ai madje kishte theksuar se Kosova dhe Shqipëria janë dy vende “si një lis me dy degë”, dhe se puna mes dy vendeve duhet bërë si patriotë “e të flasim si diplomatë”.

Kurse, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka potencuar se përmes këtij takimi po realizohet një sinergji mes të dyja shteteve në të gjitha fushat, dhe çuarjen përpara të lëvizjes së lirë, lehtësimin e punësimit dhe ndërveprimin më të madh mes dy bashkësive në dy anët e kufirit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore