Lajme

Krasniqi me kërkesë për Von Cramon-in: Të largohen sanksionet e BE-së ndaj Kosovës


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, është takuar edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Krasniqi, në këtë takim ka kërkuar nga Cramon që të avokoj për heqjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

“Nga raportuesja von Cramon kërkova që ajo të avokoj edhe për heqjen e sanksioneve të BE-së kundrejt shtetit tonë. Qytetarët e Kosovës nuk duhet të penalizohen padrejtësisht si pasojë e papërgjegjësisë politike të një Qeverie të paaftë”, ka shkruar Krasniqi.

Ai tutje ka thënë se kanë biseduar edhe për zhvillimet politike dhe sigurinë në Kosovës.

“Bashkë diskutuam për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vendin tonë, duke mos lënë anash as procesin e Integrimit evropian të Kosovës”.

Teksa, e ka falënderuar për përkrahjen që ka dhënë ajo në procesin e liberalizimit të vizave.

“Raportuesen von Cramon e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme që Parlamenti Evropian në përgjithësi, por edhe ajo veçanërisht, i ka dhënë procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”.

Të premten me Von Cramon, është takuar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Liberalizimi i vizave është një moment historik dhe shumë i rëndësishëm për integrimin evropian të Kosovës, kishte thënë në një intervistë për Albanian Post, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Ajo ishte shprehur e lumtur që më në fund, pas më shumë se një dekadë pritjeje, qytetarët e Kosovës s’do ta kenë më barrën burokratike e të tejzgjatur të pajisjes me vizë për të udhëtuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Sa i përket kritikave se hapja e kufirit rrezikon të inkurajojë emigracionin ose të hapë rrugën drejt migrimit të paligjshëm, duke marrë parasysh situatën socio-politike në Kosovë, ajo kishte deklaruar se i takon institucioneve të punojnë në këtë drejtim.

Një element tjetër me rëndësi që del nga ky proces, sipas von Cramon, ishte fakti se liberalizimi i vizave mund të jetë me të vërtetë një nxitje për serbët e Kosovës që të pajisen me dokumente të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore