Lajme

Krasniqi kërkesë ndërkombëtarëve: Ndalojeni urgjentisht ndërhyrjen e Serbisë në territorin e Kosovës


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është shprehur i tronditur me vrasjen e një pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe plagosjen e një tjetri.

Krasniqi, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’,  ka thënë se në këto momente qëndrojnë të bashkuar dhe në përkrahje të policëve.

“Jam i tronditur nga lajmi për vrasjen e një pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe plagosjen e një tjetri, sot në pjesën veriore të Kosovës. I shpreh ngushëllimet më të thella familjes së policit të rënë në detyrë, ndërsa policit të plagosur i uroj shërim sa më të shpejtë”.

“Sot, në këtë moment të dhembjes, qëndrojmë të bashkuar në përkrahje të policëve tanë, të cilët, përkundër sfidave ditore e sulmeve të bandave kriminale të kontrolluara nga Beogradi, po mbrojnë sovranitetin shtetëror në pjesën veriore të shtetit tonë”, ka shkruar ai.

Teksa, ka kërkuar nga të gjitha organet e rendit që të nisin hetime të plota për të sjellur drejtësinë.

“Ftoj të gjithë që ta dënojnë fuqishëm këtë sulm kriminal kundër Policisë së Kosovës, që është sulm direkt kundër shtetit të Kosovës. Kërkoj nga organet përgjegjëse që hetimet e plota të bëhen sa më shpejt dhe përgjegjësit të sillen para drejtësinë për të marrë dënimet meritore”.

Krasniqi, kërkesë ndaj ndërkombëtarëve pati që të mos lejohet hyrja e Serbisë në territorin e Kosovës.

“Po ashtu, ftoj partnerët ndërkombëtarë të Kosovës që të dënojnë qartë sulmin dhe t’i kërkojnë Serbisë urgjentisht ndalimin e ndërhyrjeve në territorin e Kosovës dhe provokimit të mëtejmë të situatës”.

“Në të njëjtën kohë, apeloj tek të gjithë qytetarët për vigjilencë e vetëpërmbajtje, sepse përshkallëzimi i situatës në veriun e vendit tonë i konvenon vetëm Serbisë dhe bandave kriminale nën kontrollin e saj”.

Si ndodhi ngjarja?

Policia e Kosovës, në orët e pas natës me një njoftim zyrtar ka shpjeguar se si ndodhi ngjarja e rëndë ku mbeti i vdekur një polic dhe dy tjetrë të plagosur.

Policia ka thënë se gjatë realizimit të detyrave policore, rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhej, pasi e njëjta është bllokuar.

Njësitë e rendit në Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit.

Sa kanë mbërritur në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë.

Njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.

Policët janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

“Të gjitha njësitë policore relevante sipas profileve janë aktivizuar në teren, të njëjtat kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupe të organizuara dhe të armatosura”.

Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë, po ndërmerr veprimet e saja me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së kryerësve të sulmeve ndaj zyrtarëve policor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore