Shqipëria

KQZ shpërndan fondet: 1.5 milionë dollarë për PS, 1 milion për Alibeajn, zero për Berishën


Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka shpërndarë zyrtarisht fondet, përmes të cilave do të organizojnë fushatën elektorale partitë politike, për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, ku pjesa kryesore i takon Partisë Socialiste, si më e madhja në vend.

Kështu, nga fondi total prej 345 milionë e 600 mijë lekësh, ose 3.4 milionë dollarësh e konvertuar, 151 milionë e 494 mijë lekë (rreth 1.5 milionë dollarë), shkojnë për socialistët.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike, e përfaqësuar nga kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj, do të marrë 106 milionë e 661 mijë lekë (rreth 1 milion dollarë), për të zhvilluar fushatën.

Jashtë, është lënë grupimi i Sali Berishës, i cili nuk është i regjistruar me një parti të mirëfilltë në zgjedhje, por në koalicionin e krijuar me Partinë e Lirisë, atë Demokristiane dhe PBDNJ.

Kështu, bazuar edhe në ndarjen e fundit elektorale, Partia e Lirisë ka përfituar një shumë prej 15 milionë e 577 mijë lekësh (rreth 150 mijë dollarë).

Partia Republikane ndjek me 11 milionë e 488 mijë lekë (rreth 110 mijë dollarë) dhe Partia Social Demokrate me 12 milionë e 266 mijë lekë (rreth 120 mijë dollarë).

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ajo Agrare Ambjentaliste, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, si edhe Partia e Legalitetit, përfitojnë shuma identike, në 8 milionë e 18 mijë lekë (rreth 80 mijë dollarë).

Listën e mbyll Nisma Thurja, e cila do të përfitojë 6 milionë e 283 mijë lekë (rreth 60 mijë dollarë).

Fakti se Berisha do të mbetej pa fonde në këtë fushatë elektorale, ishte i ditur që prej kohës kur Kolegji Zgjedhor, mori vendimin përfundimtar, duke ia lënë juridikisht partinë Alibeajt.

Por, ajo që mbetet për t’u parë, është fakti nëse Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë, përtej shumicës së kandidatëve në koalicion, do t’i lejojë Berishës apo jo, të përdorë fondet e tyre për fushatë.

Celibashi dërgon për verifikim 30 kandidatë në zgjedhjet vendore

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore