Shqipëria

KQZ-ja zbulon urdhrin për operatorët e identifikimit elektronik (PEI)


Të gjithë operatorët e pajisjes së identifikimit elektronik të zgjedhësve (PEI), duhet të paraqiten në qendrën e votimit ku është caktuar nga KQZ-ja, në orën 06:00 të datës 14 maj.

Kështu zbuloi nënkomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Lealba Pelinku, duke cituar njoftimin e saj për shtyp.

Ajo theksoi se mosparaqitja e operatorit në qendrën e votimit në orën e përcaktuar në pikën e parë të këtij urdhri, e ngarkon atë me përgjegjësi ligjore.

“Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare elektronike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, shtoi zyrtarja e KQZ-së.

Tre bashki (Elbasani, Kamza dhe Vora) do të transmetojnë në zgjedhjet vendore të 14 majit të dhëna reale mbi pjesëmarrjen në zgjedhje.

Kjo u konfirmua të premten e 5 majit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili zhvilloi testimin operacional të pajisjeve të identifikimit elektronik të zgjedhësve (PEI).

“Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në 5 mijë e 211 qendra votimi, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë biometrik të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje”, njoftoi KQZ-ja.

Pelinku deklaroi se në zgjedhjet e dy viteve të kaluara, procesi i identifikimit elektronik është kryer me sukses dhe ky është viti i tretë që pritet të jetë gjithashtu i suksesshëm.

Ajo tha se testi operacional verifikon elementët si: nëse një votues i përket asaj qendre votimit, nëse një votues tenton të votojë më shumë se një herë, apo nëse një votues është në qendrën e gabuar të votimit.

Gjithashtu, edhe rastet e veçanta që lidhen me komisionerët apo zgjedhësit që paraqiten me vendim gjykate.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, u shpreh se është krijuar një sistem i tillë që për këdo që në mënyrë manipulative kërkon të shmangë, identifikimin elektronik, kjo gjë do të jetë e pamundur.

“Kemi krijuar një sistem të tillë për këdo që në mënyrë manipulative kërkon të shmangë identifikimin elektronik, një votues nëse do të përdorë diçka për ta shmangur, kjo gjë do të jetë absolutisht e pamundur. Nëpërmjet një sistemi më të mirë të trajnimit të operatorëve procesi i identifikimit elektrik do të jetë më mirë i organizuar”.

Gjithashtu ai bëri me dije se “gjë e shtuar në këtë sistem është transmetimi në mënyrë periodike i të dhënave të pjesëmarrësve në ditën e zgjedhjeve”.

“Do të kemi të dhëna reale të votuesve në ditën e zgjedhjeve. Nuk do ta bazojmë në sondazhe, por në fakte konkrete”.

Disa ditë më parë, Celibashi theksoi se në bashkitë ku do të aplikohet votimi elektronik, rezultati pritet që të dalë brenda 2 deri në 3 orë, dhe sipas tij në rastin më të mirë për 30 minuta.

“Funksionaliteti i pajisjeve në përputhje me manualet. Po testojmë dhe procesin e transmetimit të të dhënave pas votimit. Pajisjet kanë përmbushur kërkesat e KQZ nga ana teknike për sigurinë dhe garancinë e procesit të votimit dhe fshehtësisë së votës”.

Ndër të tjera ai tha se fshehtësia e votës e çdo qytetari kur votojnë nëpërmjet pajisjes së votimit elektronik është 100 për qind e sigurt.

Kujtojmë se Elbasani, Vora dhe Kamza do të jenë bashkitë ku teknologjia do të aplikohet në procesin e votimit më 14 maj për zgjedhjet vendore në Shqipëri.

Meqenëse në këto tre bashki votimi dhe numërimi do të jenë elektronik, pritet që të nxjerrin rezultatin e zgjedhjeve të parat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore