Lajme

KPK i reagon Kurtit: Zbulimi i emrit të prokurorit mund t’i rrezikojë jetën


Këshilli Prokurorial i Kosovës

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), përmes një komunikate për media, ka shprehur shqetësimin për deklaratat e kryeministrit Albin Kurti lidhur me vendimin ligjor për ndërrimin e masës së të pandehurit Dejan Pantiç nga paraburgimi në arrest shtëpiak, që është marrë pas kërkesë së Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Kurti në një konferencë për media deklaroi se “është kureshtar të dijë emrin e gjyqtarit dhe të prokurorit që morën vendim për ish-policin Dejan Pantiç”.

Prandaj, KPK ka shprehur indinjatën me kërkesën e kreut të ekzekutivit për t’u informuar me emrin e prokurorit i cili ka bërë kërkesë për ndërrimin e masës ndaj ish-policit serb, sepse “kjo përveç që ndikon në punën e pavarur të prokurorit, mund të nxitë edhe reagime që do të mund të rrezikojnë jetën e tij”.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës mbështet të gjitha vendimet e prokurorëve që janë të mbështetura në ligj, dhe ju bënë thirrje për të vazhduar punën e tyre të pavarur, profesionalisht dhe të mos ndikohen nga asnjë lloj ndërhyrjeje apo presioni”.

“Ndërsa, Kryeministrit Kurti dhe vartësve të tij, KPK ju bënë thirrje të respektojnë punën e institucionit të pavarur të Prokurorit të Shtetit, ngase tentativat për ndërhyrje, do të mbesin vetëm si të tilla”, thuhet mestjerash në komunikatë.

Edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka shprehur shqetësim pas komenteve të kryeqeveritarit dhe ia kanë kujtuar atij që gjyqtari që ka vendosur për këtë rast ka një emër në të cilin mund t’i referohet.

Gjykata Themelore në Prishtinë, këtë të mërkurë ka konfirmuar se ish-polici i Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Dejan Pantiç, i cili u arrestua në pikë kalimin kufitar në Jarinjë, nën dyshimin për veprën penale “Sulm kundër rendit kushtetues” dhe për “kryerjen e veprës terroriste” është liruar nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri.

Pantiç i cili deri të mërkurën ndodhej në paraburgim, tashmë do të mbrohet në arrest shtëpiak dhe sipas avokatëve që ka pyetur Albanian Post, të mbrohesh në liri për një vepër të tillë është pothuajse e padëgjuar në sistemin juridik të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore