Lajme

Kosovë: Të martën pasdite arrinë kontingjenti i vaksinave Pfizer, nuk do të ketë ceremoni


Në pasditen e së martës, në Kosovë pritet të arrijë kontingjenti i parë i vaksinave anti-COVID, nga kompania Pfizer/Biontech.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti, në një prononcim me shkrim për Albanian Post, e ka konfirmuar se “këto vaksina pritet të arrijnë gjatë pasdites në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës”.

Tutje ai ka thënë se ndryshe nga herën e kaluar, kur vaksinat nga kompania AstraZeneca kishin arritur në Kosovë, të cilat u pritën me një ceremoni, kësaj radhe nuk do të zhvillohet diçka e tillë.

“Nuk e besoj që do të ketë ceremoni të pritjes së vaksinave Pfizer”, ka deklaruar Hoti.

Këto 95 mijë doza të vaksinave për Kosovën, janë të ndara nga Bashkimi Evropian në kuadër të mbështetjes për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në kontingjentin e parë të vaksinave Pfizer në Kosovë, do të arrijnë rreth pesë mijë doza, për të vazhduar pastaj me kontingjente vijuese javë pas jave deri në marrjen e të gjitha dozave, e cila do të përfundojë deri në fund të muajit gusht.

Një ditë më pas, të mërkurën, në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, Komisioneri i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, do të vijë në Kosovë.

Ndërsa sa i përket kontingjentit të parë të vaksinave kundër Coronavirus, në Kosovë ky kontingjent kishte arritur më 28 mars.

Kontingjenti i parë i dozave ishin nga kompania AstraZeneca, të cilat janë siguruar përmes programit “COVAX”, mundësuar nga Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore