Kosova

Të martën arrijnë pesë mijë doza të vaksinave Pfizer në Kosovë


Ilustrim: Dozat e vaksinës Pfizer/Biontech

Të martën do të arrijë kontingjenti i dytë i vaksinave anti-COVID në Kosovë.

Ndryshe nga hera e kaluar, këtë radhë Kosova do të furnizohet me vaksinën anti-COVID nga kompania Pfizer/Biontech.

Ardhjen e vaksinave, për Albanian Post, e ka konfirmuar zyra për komunikim e Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, ku thuhet se rreth pesë mijë doza të vaksinave do të arrijnë të martën e katër majit.

“Rreth pesë mijë doza prej tyre pritet të arrijnë të martën në Kosovë, për të vazhduar pastaj me kontingjente vijuese javë pas javë deri në marrjen e 95 mijë dozat”, ka sqaruar zyra për komunikim nga MSH-ja.

Këto 95 mijë doza të vaksinave për Kosovën, janë të ndara nga Bashkimi në kuadër të mbështetjes për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndërkaq, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Twitter, pati deklaruar se Kosova do të përfitojë 95 mijë doza të vaksinave anti-COVID, shpërndarja e të cilave do të fillojë që nga muaji maj e deri në fund të gushtit.

Ajo është shprehur se KE, do t’i qëndrojë përkrahë partnerëve në Ballkanin Perëndimor, në luftimin e pandemisë COVID-19 duke përfshirë kështu edhe shtetin e Kosovës.

“Ne jemi në këtë së bashku”, ishte shprehur ajo.

Një ditë pas, të mërkurën, në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, Komisioneri i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi vjen në Kosovë. 

Ndërsa sa i përket kontingjentit të parë të vaksinave kundër Coronavirus, në Kosovë ky kontingjent kishte arritur më 28 mars.

Kontingjenti i parë i dozave ishin nga kompania AstraZeneca, të cilat janë siguruar përmes programit “COVAX”, mundësuar nga Fondi i Emergjencës i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore