Lajme

Kosovë: Shoqëria civile kërkon të hetohen dyshimet për falsifikim të votave


Rrjeti i organizatave jo-qeveritare, Demokracia në Veprim, kërkon nga prokurori i shtetit të hetohen rastet, në të cilat dyshohet se ka falsifikim të votave të kandidatëve brenda subjektit politik.

“Prokuroria duhet që në bashkëpunim me Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Sekretariatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të veprojë në drejtim të gjetjes dhe arrestimit të personave që dyshohen se kanë falsifikuar rezultatin e votimeve”, ka shkruar DnV në faqen zyrtare në Facebook.

Po ashtu, DnV u ka bërë thirrje të gjithë kandidatëve për deputet të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Shtetit në drejtim të zbulimit të veprave që devijojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovë.

Gjatë ditës së shtunë, në media ka qarkulluar një audio dhe video incizim ku dëgjohen tre të dyshuar duke diskutuar për çmimin dhe ndryshimin e votave brenda kandidatëve të listës së një subjekti politik.

“I dyshuari po ashtu tregon se sa para kishte marr ai dhe dy persona të tjerë brenda Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve për të ndryshuar votat e një kandidateje për deputete të Kuvendit të Kosovës, që ajo të bëhej pjesë e legjislaturës së VIII”, shkruan DnV.

Lidhur me rastin në fjalë ka pasur edhe reagime nga disa figura të njohura të subjekteve politike, të cilët janë shprehur kundër manipulimeve të tilla.

Faton Bislimi, kandidat për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka kërkuar nga PZAP që të rinumëroj votat me kusht dhe ato të diasporës dhe “secilën kuti tjetër ku ka një fije dyshimi për manipulim”.

Ky skandal komprometon skajshmërish procesin zgjedhor. Ky model i vjedhjes së vullnetit të sovranit ka prekë edhe shumë kandidatë tjerë. Të paktën që do duhej të bënte PZAP sot është të dërgonte në rinumërim komplet votat të cilat ekskluzivisht janë numëruar në QNR”, ka shkuar Bislimi.

Edhe kandidatja e LDK-së për deputete, Lirije Kajtazi ka reaguar dhe ka akuzuar për manipulim votash.

Ajo përmes një statusi në Facebook, ka thënë se ky rast ka ndikuar në ndryshimin e rezultatit të saj.

Me këtë model u përmbys edhe rezultati im ne minutat e fundit në Qendrën për fabrikimin e rezultateve (QNR)”, ka shkruar Kajtazi.

Tutje ajo ka thënë se nuk do të ndalet dhe se do të vazhdojë të luftojë për drejtësi.

“Të nderuar qytetarë, unë po vazhdoj betejën time, jo për një mandat në Kuvend, por angazhimin tim të përjetshëm në luftën për drejtësi dhe demokraci”, ka shkruar Kajtazi.

Ndërsa pas deklarimit të kandidates së LDK-së për deputete Lirije Kajtazi ,ka reaguar edhe anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e cila ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, duhet të fillojë rinumërimin e secilës kuti “ nën vëzhgimin e kamerave dhe në transmetim live në televizionet nacionale”.

“Nëse nuk bëhet për kandidatët, duhet të bëhet për qytetarët”, ka shtuar Bajrami.

Po ashtu, edhe kandidatja për deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, nuk e ka toleruar një veprim të tillë të cilin ajo e quan si “skandal”, që tregon se “për disa persona nuk është me rëndësi se sa të votojnë, e rëndësishme është kush t’i numëron!”.

Ajo ka kërkuar nga PZAP të bëjë rinumërimin e votave dhe sipas saj “Prokuroria duhet të merr masa për të hetuar këto skandale!”.

Bytyqi për shkak shkrimit të saj ka marrë edhe një kundërpërgjigje nga ana e kandidates për deputete, nga po e njëjta parti politike, Meliza Haradinaj-Stublla.

“Për shpifjet dhe fyerjet kundër meje të cilat po qarkullojnë në disa portale, kandidatja në fjalë do të përgjigjet në gjykatë”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.

Menjëherë pas transmetimit në media të lajmit, “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka komunikuar me Prokurorinë e Shtetit për t’i ofruar të gjitha informacionet dhe materialet e nevojshme për hetimin dhe zbardhjen e plotë të rastit”, ka thënë për Albanian Post, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Në afatin 24-orësh për ankesa, pas shpalljes së rezultatit përfundimtar, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë dorëzuar 208 ankesa.

Ky institucion ka gjithsej tri ditë që të shqyrtojë e vendos për çështjet e ngritura. Nëse palët nuk janë të kënaqura me vendimet e PZAP-së, atëherë ato mund t`i drejtohen edhe Gjykatës Supreme, e cila gjithashtu ka kohë 72 orë për shqyrtimin e tyre.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore