Lajme

Kosovë: Shkarkohet zëvendësdrejtoresha e AKI-së, Vlora Hyseni


Objekti i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë

Presidentja e  Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, e kanë shkarkuar nga detyra zëvendësdrejtoren e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Vlora Hysenin.

Sipas njoftimit të zyrës për media të Qeverisë së Kosovës, “Vendimi është marrë në mbështetje të nenit 6 (paragrafi 4) të Ligjit Nr.03/L-063 për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë”.

“Vendimi për shkarkim e obligon  Vlora Hyseni të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar”, thuhet në njoftimin e ekzekutivit.

“Gjithashtu, Vlora Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara”.

“Po ashtu në këtë njoftim thuhet se “Zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit nr.06/074 Penal të Republikës së Kosovës, Ligjit Nr.03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”.

Ndërkohë më 15 prill të këtij viti Osmani dhe Kurti , patën emëruar Petrit Ajetin, Drejtor të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

“Ky emërim është bërë në përputhje me kompetencat kushtetuese të Presidentes dhe Kryeministrit të Kosovës”, thuhej në njoftimin e Presidencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore