Lajme

Kosovë: Policët kërkojnë shtesa për punën gjatë pandemisë


Ilustrim

Sindikata e Policisë së Kosovës, ka kërkuar që zyrtarët policorë të kompensohen nga Qeveria e Kosovës sipas Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, duke thënë se Policia e Kosovës “po diskriminohet dhe neglizhohet nga institucionet e tjera sa i përket shtesave”.

“Pakënaqësia, shqetësimi dhe zhgënjimet po shfaqen nga të gjithë zyrtarët e Policisë sa i përket shtesave, të cilat sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës janë planifikuar për punonjësit shëndetësorë duke mos u përfshirë edhe Policia e Kosovës si zbatues i këtij ligji, e sidomos pjesëtarët e Policisë të cilët do të jenë në teren”, thuhet në komunikatë.

Sipas kësaj sindikate, më shumë se katër mijë pjesëtarë të policisë janë të angazhuar me orar 12 orë pune “pa të drejtë pushimi dhe pa kompensim të shujtës, e cila është e rregulluar me ligji dhe me Udhëzimin administrativ 02/2018 në Policisë së Kosovës”.

Policia e Kosovës në krye të detyrës

Bazuar në këtë njoftim, nga sindikata thonë se ende nuk janë kompensuar as orët shtesë të vitit 2020 për të gjithë pjesëtarët e angazhuar në detyrë.

Andaj, kanë kërkuar që edhe pjesëtarëve të policisë tu paguhen shtesat e po ashtu, të bëhet kompensimi i mjeteve të mbetura të orëve shtesë për vitin 2020 për të gjithë ata të cilët kanë punuar.

“Kompensim për shujtë për punonjësit e Policisë së Kosovës të cilën asnjëherë nuk e kanë gëzuar këtë të drejtë sipas ligjeve dhe udhëzimit administrativ 02/2018 mbi marrëdhënie punë në Policinë e Kosovës, tani e cila është shumë e nevojshme kur punonjësit e PK-së punojnë me orar 12 orë”, vijon njoftimi.

Në anën tjetër, përmes kësaj komunikate për media kjo sindikatë ka potencuar se Policia e Kosovës “po sulmohen e fyhen brutalisht nga qytetarët e pa ndërgjegjshëm së Kosovës të cilët nuk i respektojnë masat anti COVID”.

Por, edhe “gjatë protestave dhe organizimeve të ndryshme dhe për veprimet e tyre po hapen raste te ndryshme nga Inspektorati i Policisë së Kosovës”.

“Duke parë se është një situatë shumë e renduar tek pjesëtarët e Policisë, ne si Sindikatë e Policisë së Kosovës qëndrojmë pranë këtyre kërkesave të cilat janë drejtuar dhe presim të realizohen, në të kundërtën ne si sindikatë do të veprojmë me hapa tjerë sindikal”.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e shtesave prej 60 eurove për punonjësit shëndetësorë të cilët e kanë quajtur “vendim fyes”.

“Ne nuk kemi kërkuar shtesa asnjëherë, kemi kërkuar që të shtyhet përpara ligji i pagave dhe ai i infermierëve. I kemi refuzuar sepse janë shumë të ulëta. Paramendojeni një infermier që kujdeset për pacientët me COVID-19 deri në 27 pacientë, paguhet vetëm 18 euro për 12 orë punë. Kjo është e mjerueshme”.

Ilustrim

Sindikata e Infermierëve, Oda dhe shoqatat e infermierëve të psikiatrisë, neurologjisë e shoqata të tjera kanë paralajmëruar se gjatë muajit shtator të vitit 2021 do të mbajnë protesta për të realizuar kërkesat e tyre.

Miratimi i ligjit të pagave dhe ligji për infermierët janë dy nga këto kërkesa.

Po ashtu, shtatë milionë euro janë ndarë për lehonat dhe shtesat e fëmijëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore