Lajme

Kosovë: Mund të kemi masa të reja nëse përkeqësohet situata me COVID-19


Valbon Krasniqi

Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Valbon Krasniqi në një emision televiziv ka bërë të ditur se në Kosovë mbizotëron një situatë e volitshme epidemiologjike sa i përket COVID-19, megjithatë një situatë e tillë mund të ndryshoj kjo për shkak të variantit të ri Omicron.

“Kjo situatë mundet fare lehtë të përmbyset duke parë qarkullimin e Omicron në Shtetet e tjera të Evropës dhe në vendet tona fqinje në rajon. Ne duhet të jemi të përgatitur për çdo variant të mundshëm”, ka thënë Krasniqi

Sipas tij SHSKUK ka kapacitetet e duhura për tu përballuar me një valë të mundshme të Omicron.

“Besoj që si Kosovë por edhe si shërbim spitalor ne kemi dëshmuar që mund të organizohemi dhe mund të mobilizohemi për tu përballur me valë të tilla të mundshme”, ka shtuar ai.

“Në rast se veç përkeqësohet situata, sigurisht që mund të priten edhe masa të reja. Në fund të fundit ne të gjithë e kemi obligim që në radhë të parë ta ruajmë shëndetin e qytetarëve”.

Për Krasniqin momentalisht në Kosovë situata është e qetë sa i përket variantit Omicron.

“Është duke u monitoruar situata nga institucionet përkatëse të cilat e kanë për obligim të monitorojnë situatën dhe varësisht nga gjendja në të cilën do të futemi në ditët në vijim, Instituti i Shëndetit Publik, nëse do të ketë nevojë, do të rekomandojë masa të tjera. Tani për tani duhet të theksojmë nevojën për zbatimin e masave aktuale që janë në përputhje me situatën në të cilën jemi”, ka përfunduar ai.

Krasniqi, ka shprehur shqetësimin e tij për numrin e pakët të qytetarëve që po shprehin interesim për t’u vaksinuar.

Sipas tij në pikun e pandemisë gjatë muajve shtator-tetor janë vaksinuar deri në 20 mijë persona, ndërsa tash numri ditor i të vaksinuarve shkon nga një deri në tre mijë.

Ndryshe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës më 26 dhjetor të këtij viti kishte njoftuar se se janë identifikuar nëntë raste të variantit Omicron të SARS-COV-2 në Kosovë.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka bërë të ditur se, sot, më 26 dhjetor 2021, në laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare, Departamenti i Mikrobiologjisë të IKShPK, janë testuar 22 mostra pozitive në SARS-CoV-2, të periudhës kohore 15-25 dhjetor 2021”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore