Lajme

Kosovë: Gjenden mbetje mortore të një personi me veshje ushtarake e emblemë të UÇK-së


Mbetjet kockore me veshjen ushtarake dhe emblemen e UCK-se

Janë gjetur mbetje mortore në varrezat e qytetit të Gjakovës, në lagjen e quajtur “Brekoc” dhe dyshimet e para janë se i takojnë një ushtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të vrarë në luftën e fundit.

“Megjithatë është herët të dihet me saktësi”, thotë për Albanian Post, Arsim Gërxhaliu, drejtori i institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës.

Ndërsa Nysret Gjurkaj, zëdhënës i policisë për rajonin e Gjakovës, ka treguar, në një prononcim për Albanian Post, se ku i kanë gjetur mbetjet mortore.

“Saktësisht në vendin ku janë të varrosur dëshmorët e luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë Gjurkaj, “aty janë gjetur mbetje mortore të një personi të pa identifikuar”.

“Por, ai vend asnjëherë nuk ishte shënjuar si varrezë”, ka thënë Gërxhaliu, prandaj as që është ditur më parë për ekzistencën e tij.

“Por tani, sipas informatave preliminare është gjetur një varrezë gjatë hapjes së një varri tjetër dhe ekipi është rrugës për në terren që ta rrethojë dhe ekzaminojë vendin”, tregoi Gërxhaliu.

Personi që i pari kishte hasur në mbetjet me veshje e emblemë të UÇK-së është punëtori i varrezave.

“Ai derisa po hapte një gropë varri ka hasur në mbetjet mortore në fjalë”, tregon Gjurkaj për Albanian Post.

Përveç dyshimeve të para se është një ushtar i vrarë i UÇK-së, asgjë nuk mund të dihet më shumë në këtë kohë – “as kush e ka varrosur”, thotë Gërxhaliu.

Procedura për ta kuptuar identitetin e të rënit është e gjatë – mund të shkojë me muaj.

“Fillimisht presim sjelljen e pjesëve kockore në Institut, pastaj bëjmë ekzaminimin dhe marrjen e mostrave dhe i dërgojmë për testet e ADN-së”, shpjegon Gërxhaliu.

“Pastaj derisa të na kthehen rezultatet mund të zgjas një muaj, ose me raste edhe disa muaj”.

Nga lufta e fundit në Kosovë mbetën ende 1653 persona të zhdukur. Në mesin e atyre që mungojnë ka civilë e ushtarakë.

Organizata jo qeveritare në Kosovë vazhdimisht kanë kërkuar që pjesë e dialogimit në mes të Kosovës e Serbisë të jenë edhe personat e pagjetur.

Shumica e trupave të të zhdukurve dyshohen të jenë në varreza masive në Serbi, por ka ndodhur raste si kjo, kur është hasur në mbetje nga lufta e fundit edhe brenda territorit të Kosovës.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore