Kosova

Kosovë: Gjashtë raste të dhunës në familje brenda 24-orëve


Ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje në tri qytetet të Kosovës.

Dy raste të dhunës në familje kanë ndodhur në Komunën e Prishtinës.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, një person është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

“Viktima ka refuzuar të merr tretman mjekësor. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Policia e Kosovës njofton se rasti tjetër në Prishtinë, ka ndodhur në ora 09:00, ku një person është arrestuar, pasi i njëjti ka ushtruar dhunë psiqike ndaj babait të tij.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

Një rast tjetër i dhunës në familje ka ndodhur në Fushë Kosovë, ku një person dyshohet se ka përdorë dhunë fizike dhe psiqike ndaj bashkëshortes së tij.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me rekomandim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është liruar dhe rasti procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Edhe në Gjakovë, është arrestuar një grua, pasi e njëjta përmes telefonit kishte kanosur ish burrin e saj.

“Me urdhër të prokurorit e dyshuara pas inicimit të rastit është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”.

Po ashtu rast të dhunës në familje ka pasur sërish në Gjakovë, ku janë arrestuar dy persona, burrë dhe grua, pasi dyshohen se kanë bërë presion verbal ndaj vajzës së tyre.

“Është njoftuar punëtori i QPS dhe pasi që viktima nuk ka pranuar të kthehet në shtëpi është vendosur në strehimore. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që pas intervistimit të dyshuarit të lirohen dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, në Gjakovë, një grua ka njoftuar se përmes telefonit është kanosur nga bashkëshorti i saj.

“I dyshuari jeton në Gjermani. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, viktima së bashku me fëmijët e sajë është vendosur në vend të sigurtë. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet tutje në raport.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore