Lajme

Kosovë: A ka të drejtë Lista Serbe në kërkesën për dy ministri?


Deputetët e Listës Serbe

Apetitet e Listës Serbe nuk janë kënaqur vetëm me ministrin për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë Kurti 2, votuar të hënën në Kuvendin e Kosovës me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim.

Madje, gjatë seancës së Kuvendit, deputeti i Listës Serbe, Igor Simiç, ka thënë se Lista duhet t’i ketë dy ministri brenda ekzekutivit, meqë sipas tij është bërë shkelje e Kushtetuese së Kosovës.

“Lista Serbe nuk do të votojë qeverinë dhe do të ankohemi në Kushtetuese”, theksoi mes tjerash ai.

Megjithatë, sipas Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lista Serbe ka të drejtë të bëjë ankesë në Kushtetuese, por ligji nuk ia garanton një gjë të tillë.

“Në bazë të Kushtetutës dhe Planit Ahtisaari si dokument ku Kosova ka marr zotim ndërkombëtar për të promovuar të drejtat dhe liritë e komuniteteve jo shumicë në Kosovë, përfshirë përfaqësimin e tyre në Kuvendin e Kosovës dhe në Qeveri, nuk gjen mbështetje një kërkesë e tillë, ku një komunitet i caktuar të ketë dy ministri”, tha Miftaraj.

Sipas tij “praktika e qeverive të mëhershme ka ofruar privilegje shtesë për komunitetin serb në dëm të komuniteteve tjera jo serbe”.

“Një praktikë e tillë nuk gjen mbështetje kushtetuese andaj edhe mundësitë që Gjykata Kushtetuese të marr një vendim që konteston vendimin e qeverisë do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për tu arsyetuar”, ka shtuar ai.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se “edhe pse Lista Serbe ka numrin e nevojshëm të deputetëve për ta kontestuar vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë, Kushtetuta në nenin 96.3 përcakton që nëse janë më shumë se 12 ministri, një ministri e dytë i ndahet një prej komuniteteve jo-shumicë, e jo ekskluzivisht atij serb”.

“Në fakt, në të gjitha rastet kur komuniteti serb ka marrë dy ministri, kjo kanë qenë kryekëput rezultat i marrëveshjeve politike mes subjektit fitues të zgjedhjeve dhe Listës Serbe. Përndryshe, nuk ka asnjë dispozitë kushtetuese që e obligon kryeministrin t’ia ofrojë dy ministri komunitetit serb”, shton Cakolli.

Albanian Post ka tentuar të kontaktojë edhe me Goran Rakiç nga Lista Serbe, por ky fundit ka qenë i paqasshëm në telefon.

Por, në emër të Listës Serbe foli Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të martën nga Beogradi.

Ai tha se “fakti që serbët do të kenë një pozitë ministrore në Qeverinë e Kosovës si dhe thirrja e Albin Kurtit që të gjithë duhet të jenë të bashkuar në luftën kundër Serbisë, është një mesazh i qartë për serbët në Kosovë”.

“Njëra është një shkelje brutale e veprimit të tyre më ligjor, nga këndvështrimi i tyre, sepse ajo kushtetutë thotë se serbët duhet të marrin dy poste ministrore. Por atyre nuk u intereson që e shkelën barbarisht atë”, deklaroi Vuçiç.

Sipas tij, shqiptarët në Kosovë nuk janë të shqetësuar sepse askush nga bota nuk do t’u tregojë asgjë për atë çështje, por që është një mesazh i qartë për popullin serb.

“Dhe një mesazh edhe më i qartë ishte kur Kurti tha se të gjithë duhet të ishin të bashkuar në luftën kundër Serbisë”.

“Imagjinoni që unë të bëja thirrje që të bashkoheshim kundër Prishtinës. Kurse, unë bëj thirrje për arsye dhe që të jeni të bashkuar në arritjen e një kompromisi. Dhe askush nuk reagoi ndaj asaj që tha Kurti”.

“Kjo flet për hipokrizi dhe standarde të dyfishta”, përfundoi Vuçiç.

Albin Kurti me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim, është zgjedhur kryeministër i Kosovës për herë të dytë.

Bashkë me Kurtin janë votuar edhe 15 ministrat e qeverisë së re “Kurti 2”.

Kjo qeveri është qeveria e parë në Kosovën e pasluftës që s’ka pasur nevojë për koalicion paszgjedhor, meqë votat janë siguruar nga deputetët e Vetëvendosjes dhe komunitet jo shumicë (veç serbëve).

Kurti zgjedhet kryeministër pas një fitore të paprecedentë të Lëvizjes Vetëvendosje, me mbi 50 për qind të votës popullore.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore