Lajme

Kosovë: 22 vite liri


12 qershor 1999, forcat ushtarake britanike në hyrje të Prishtinës priten me duartrokitje nga shqiptarët e mbijetuar në kryeqytet.

Më 12 qershori shënon 22 vjetorin e çlirimit të Kosovës. Pas 78 ditë bombardime ndaj caqeve serbe, Aleanca Veri-atlantike NATO gjunjëzoi ish Jugosllavinë(Serbinë) duke e detyruar të nënshkruaj një marrëveshja tekniko-ushtarake të njohur si Marrëveshja e Kumanovës e cila detyron forcat serbe të largohen nga Kosova brenda 24 orëve.

Brenda një dite përkatësisht më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë hynë mbi 50 mijë forca ushtarake të NATO-s.

12 qershor 1999, zbarkimi nga ajri i forcave ushtarake britanike në paralagjet e Prishtinës

Trupat ushtarake të NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR.

12 qershori shënon fundin e luftës dyvjeçare të Serbisë ndaj popullit shqiptar.

Ndërsa në natën e 11 qershorit në Kosovë ishin hyrë mijëra trupa ruse nga drejtimi i Serbisë, të cilat u vendosën në disa pika strategjike të vendit si Aeroportin e Prishtinës, gjë që kishte ngritur tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë deri një mundësi të ballafaqimit ushtarak nëse do të hasnin në rezistencë trupat e NATO-s.

Diplomatë të shumtë dhe ushtarak e kujtojnë këtë datë si një datë “që do të mund të fillonte Lufta e Tretë Botërore”.

Ballafaqimi i trupave ushtarake britanike dhe atyre ruse në afërsi të Aeroportit të Prishtinës

Ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor ishin forcat speciale të Shërbimit Special Ajror Britanik, duke u gjetur ballë për ballë me trupat e Rusisë të cilët një ditë më parë ‘befasisht’ kishin marrë nënë kontroll Aeroportin e Prishtinës me të vetmin qëllim, ndarjen e Kosovës.

Rusia në koordinim me regjimin e Sllobodan Millosheviçit kishin planifikuar që forcat tokësore ruse në Kosovë t’i përforconin duke përdorur hapësirën ajrore të Bullgarisë, Hungarisë dhe Rumanisë gjë që kërkesa e Moskës zyrtare kishte has në një rezistencë pasi që Uashingtoni kishte intervenuar dhe kishte bindur këto vende që të mos lejonin një gjë të tillë.

Hyrja e NATO-s në Kosovë bëri që të kthehen brenda një jave mbi 1 milion refugjat kosovarë të cilët ishin të strehuar në Maqedoni dhe Shqipëri gjë që nuk kishte ndodh në historinë e njerëzimit një rikthim aq i shpejtë i refugjatëve në vendin e tyre ani pse në Kosovë ende kishte mbetje të forcave serbe, paramilitare.

Kurse ministria e Jashtme e Rusisë ndërhyrjen e saj në Kosovë e kishte quajtur si “një gabim” meqë nuk i kishte ecur strategjia në përballje me Uashingtonin.

Për 22 vite, në Kosovë kanë shërbyer afërsisht 500 mijë trupa ushtarake në kuadër të KFOR-it të cilët kanë mbrojtur paqen në vend me dinjitet të plotë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore