Lajme

Kosovari i vetëvar në Francë refuzoi të kthehej në Kosovë, ia kishin vrarë 15 anëtarë të familjes


Gjykata e Bordos në Francë

Një kosovarë rreth të dyzetave i dha fund jetës së tij të mërkurën e 15 dhjetorit, duke u vetë varur në bodrumin e gjykatës në Bordo të Francës. Ai kishte refuzuar të hipte në një aeroplan dy ditë më parë për t’u kthyer në Kosovë, raporton gazeta franceze, Le Monde.

“Ai u vetë var me lidhësen e kapuçit të xhupit të tij”, vazhdon gazeta franceze.

Kosovari në fjalë kishte shkuar në Francë rreth 15 vite më parë bashkë me vëllaun e tij, pasi ia kishin vrarë 15 anëtarë të familjes në luftën e fundit në Kosovë.

“Ai mbërriti në Francë rreth 15 vjet më parë, duke ikur nga konfliktet ndëretnike dhe një situatë të paqëndrueshme politike. Ai kishte një të kaluar të dhimbshme traumatike të lidhur me vrasjen në të njëjtën ditë të 15 anëtarëve të familjes së tij”, ka treguar avokati i tij, Abraham Herve Diompy.

Sipas elementeve të para të hetimit, viktima do të gjykohej pasditen e ditës tragjike për largim nga shteti i Francës. Ai numëronte rreth dhjetë dosje kriminale, kryesisht për vjedhje.

“Më 13 dhjetor, ai refuzoi të hipte në një fluturim për në Amsterdam dhe më pas në Prishtinë”, shpjegoi Herve Diompy.

“Viktima nuk arriti të integrohej asnjëherë në shoqëri, pasi ishte i pastrehë, ndonjëherë i shoqëruar nga pajisjet e urgjencës, i varur nga alkooli e droga. Ai po ashtu po trajtohej në burg. Ai kishte një jetë të vështirë, veçanërisht të ndërlikuar nga brishtësia e tij psikiatrike”, ka përfunduar Diompy.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore