Lajme

Kosova sanksionon dy grupet terroriste ISIL dhe Al-Qaeda


Objekti i Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit

Përveç Rusisë dhe Bjellorusisë, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e kësaj të hëne ka vënë aksione edhe kundër dy organizatave të shpallura terroriste nga Bashkimi Evropian.

Bëhet fjalë për organizatat ISIL dhe AL-Qaeda.

Këto masa u tha se janë ndërmarrë në përputhje me pakon e sanksioneve të ndërmarra nga BE dhe SHBA, me qëllim të promovimit dhe mbrojtjen e paqes dhe demokracisë, tha zëvendëskryeministri Bislimi.

Sipas propozimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmetit, sanksionet ndaj dy grupeve të shpallura terroriste, të cilat veprojnë në Afganistan dhe rajon, përfshijnë ndalimin e udhëtimit dhe ngrirjen e aseteve të dy organizatave dhe individëve të tyre në Kosovë.

“Këshilli i BE-së më datë 21 shkurt vendosi t’i shtojë sanksionet e BE-së për dy grupe të ndërlidhura me ISIL dhe Al-Qaeda, që veprojnë në Afganistan. Individët dhe personat e sanksionuar janë të përfshirë në planifikime terroriste në Afganistan dhe rajon”, ka deklaruar zëvendësministri Ahmeti.

“Nëpërmjet aktiviteteve të tyre propaganistike, ata kanë luajtur një rol kyç në promovimin e ideologjisë së dhunshme xhihadiste të AL-Qaidas dhe Daeshit, dhe në nxitjen e akteve terroriste në mbështetje të këtyre dy organizatave”.

Prandaj, “ky vendim do të vendoste qëndrimin tonë të palëkundur për të luftuar kërcënimin terrorist nga këto organizata”, tha Ahmeti.

Pa asnjë kundërshtim, ministrat e qeverisë Kurti II votuan edhe këtë propozim, duke i dhënë dritën jeshile ekzekutimit të këtyre sanksioneve.

Këto sanksione do të mbeten në fuqi varësisht nga rrethanat, theksoi zëvendëskryeministri Bislimi, duke shtuar se të njëjtat edhe mund të përditësohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore